“...Mustafa në Laç, bashkë me grun...” Bajri-Bilali plan për vrasjen e babait të Ibrahim Licit. Për kapjen e Dulit u fut “Juli”, polic në Vlorë
Listës së gjatë të personave për t’u vrarë nga Behar Bajri dhe Astmer Bilali, nuk ishin vetëm kundërshtarët potencialë që i rrezikonin jetën, por edhe prindërit e tyre.
Siç del në dosjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), në planet e Beharit dhe Astmerit, ka qënë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak Shkodër, Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit.
Ibrahimi dhe Dorian Duli shiheshin si dy persona që shfaqnin rrezik për grupin Bajri, ndaj një rrjet i tërë me spiunë në polici dhe fshatrat përreth ishin aktivizuar për të gjetur vendodhjen e tyre.
Madje, në një rast teksa shefi i Krimeve të Rënda Ardrit Hasanbegaj, bisedon me Pëllumb Gjokën, i shprehet këtij të fundit në vitin 2020 se Dorian Duli, qëndron në një hotel në Himarë dhe se për ta gjetur do aktivizojë “Julin”, një tjetër polic në Policinë e Vlorës.
Njëherësh spiunët informonin Behar Bajrin dhe për lëvizjet e Mustafa Licit, i cili ishte në plan dytësor për t’u vrarë.
Gjatë një bisede në “Sky” të zbardhur nga ekspertët francezë të hetimit, Behar Bajri komunikon me Astmer Bilalin dhe i tregon që “Mustafa (Lici)” ndodhet në Laç të Vaut të Dejes.
Informatori i grupit në këtë zonë i ka treguar Behar Bajrit, se Mustafa ishte parë së bashku me gruan, nga ora 09:00 e paradites.
Ndërsa Astmeri e pyet: “...A ja din vendin ku është...?”
Behari i tregon që: “...Ka qenë në Laç dhe e kanë parë duke u kthyer...”
Por Astmeri i thotë se në çfarë shtëpie ka qënë dhe se s’mund ta kapnin kështu pa u përgatitur.
“...Duhet ta kemi informacionin më përpara që ta kapim se ndryshe nuk bëjmë dot punë...” - ia kthen Astmer Bilali.
Astmeri në vazhdimësi i tregon që: "...Ja kam gjet hotelin atij (Dorian Dulit) ku ka qenë në jug. Kena lënë njerëz atje me pa, ishalla po e shohin atje...”
Behari i thot që: “...Ka qenë me një makinë audi ngjyrë kafe A3...”
Astmeri i shprehet që: “...Nuk ja di këtë makinë...”
Ky informacion për vendndodhjen e mundshme të Dorian Dulit në Himarë, i përcillet nga Behar Bajri dhe Pëllumb Gjokës, i cili më tej informon shefin e Krimeve në Shkodër, Ardrit Hasanbegajn, për të kryer verifikimet.
Në 21 gusht 2020 në orën 00.02 Pëllumb Gjoka, komunikon me Ardit Hasanbegajn, ku Pëllumbi ja ka dhënë dhe emrin e hotelit se ku po qëndronte Duli ne Himarë.
Ardriti shprehet që: “...Po është në zonën e Himarës, e kemi kollaj se kemi atë shokun tim, në Vlorë e kontrollon “Juli”. Po nuk ka 100 hotele me këtë emër. Në zonën e Himarës po lidhem nesër vëlla, i themi këtij shokut t’i kontrollojë të gjitha nga janë njerëzit që janë nëpër dhomat e hotelit...”