Çfarë po ndodh sot në Himarë? Tony Blair zbarkon me helikopter, ndërsa Meloni pritet sot nga Rama
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pritet të vizitojë sot Vlorën, një ditë pasi në Himarë zbriti këshilltari i kryeministrit Edi Rama, Tony Blair, me një helikopter.
Sipas të dhënave të para, thuhet se Meloni mund të vizitoje qytetin bregdetar .
Giorgia Meloni bashkë me bashkëshortin Andrea Giambruno, vajzën Ginevra, motrën Arianna e kunatin (bashkëshortin e saj) Francesco Lollobrigida, i cili njëherësh është dhe ministër i Bujqësisë në kabinetin e saj janë nisur me tragetin e linjës nga Puglia drejt Vlorës.
Gazetarja Alba Kepi nga Italia bën me dije për “Ora News” se kryeministrja italiane vjen në Shqipëri me ftesë private të Kryeministrit Edi Rama e me shumë gjasa do mikpritet në shtëpinë e tij.
Kryeministrja italiane mësohet se do qëndrojë vetëm pak orë në Shqipëri e do rithehet në Puglia, ku do të kalojë festën e “Ferragostës”.
Ditët e fundit mediat italiane kanë treguar interes të lartë për mendimin e Kryeministrit Edi Rama në lidhje me Kryeministrin e Italisë, Giorgia Meloni, sipas të cilit ajo është trashëgimtare e një tigri, jo e një rinoceronti. Në intervistën për gazetën e përditshme italiane “Libero”, sërish Rama përcolli vlerësimin e tij dhe surprizën përballë të cilës u gjendën dhe vetë liderët europianë.
”Në skenën ndërkombëtare, Giorgia i ka surprizuar të gjithë, e do të thosha alla grande, sepse teksa prisnin një përbindësh fashist që do të marshonte mbi Europë, u gjendën përballë një gruaje me aftësi mahnitëse në komunikim si një evropiane e thekur, që deri më tash s’ka thënë asgjë gabim. E djathta, e majtë, fashizmi, socializmi kanë kuptim kur flasim për histori, por kërkimi i sensit të tyre të hershëm në politikën e sotme mund të na ngatërrojë me këmbët tona”, tha Rama.
Pyetjes a është Giorgia trashëgimtare e Berluskonit, ai iu përgjigj: ”Giorgia është trashëgimtare e një tigri, jo e një rinoceronti”.