Studimi: Mbi 3 orë në rrjete sociale rrisin ankthin dhe depresionin te fëmijët, ekranet po dëmtojnë gjumin dhe shëndetin...

Fëmijët që kalojnë më shumë se tre orë në ditë në rrjete sociale kanë më shumë gjasa të përjetojnë ankth dhe depresion gjatë adoleshencës, sipas një studimi të ri.
Studimi i realizuar nga Imperial College London analizoi të dhënat e 2,350 nxënësve nga 31 shkolla në Londër. Fëmijët u vëzhguan në dy faza: fillimisht në moshën 11–12 vjeç dhe më pas në 13–15 vjeç. Ata plotësuan pyetësorë për zakonet digjitale, shëndetin mendor dhe stilin e jetesës, si dhe iu nënshtruan disa testeve.
Rezultatet treguan një realitet të qartë: ata që përdornin rrjetet sociale për më shumë se tre orë në ditë shfaqnin më shumë simptoma ankthi dhe depresioni krahasuar me ata që i përdornin rreth 30 minuta. Sipas studiuesve, kjo lidhet me faktin se këta fëmijë flenë më vonë dhe më pak, sidomos gjatë ditëve të shkollës.
Profesoresha Mireille Toledano, e cila drejtoi kërkimin, theksoi se ekziston një trend i qartë mes kohës së kaluar online dhe shëndetit mendor. Sipas saj, përdorimi i rrjeteve sociale, veçanërisht gjatë natës, i privon fëmijët nga gjumi i nevojshëm për zhvillim dhe funksionim normal.
Në të njëjtën kohë, debati për mbrojtjen e të miturve në internet po intensifikohet globalisht. Australia është bërë vendi i parë që ka vendosur kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, duke ndërmarrë masa të forta për mbrojtjen e tyre në hapësirën dixhitale.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se situata është komplekse dhe nuk ka ende prova të mjaftueshme që ndalimet e plota janë zgjidhja ideale. Në vend të kësaj, ata sugjerojnë më shumë edukim në shkolla për përdorimin e sigurt të teknologjisë dhe rëndësinë e gjumit.
Gjetjet janë publikuar në BMC Medicine, ndërsa studiuesit theksojnë nevojën për kërkime të mëtejshme, duke qenë se rrjetet sociale po ndryshojnë me ritme të shpejta dhe ndikimi i tyre te fëmijët mbetet një çështje në zhvillim.
Megjithatë, trendi tregon dukshëm efeket e teknologjisë tek fëmijët, të cilat nuk janë momentale, por afatgjata, ndaj apeli mbetet i njëjti: Fëmijët duhet t'i mbajnë sa më larg ekranit të telefonit.

