Nis afati kushtetues në Kosovë, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 7 gusht

Nis afati kushtetues në Kosovë, Kuvendi duhet të konstituohet

Pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ka nisur edhe afati 30 ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Por, deri më tash, partia fituese e këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë asnjë veprim për themelimin e institucioneve të reja.

Partitë politike, ende nuk kanë lëvizur sa u përket pozicioneve politike, derisa kjo mbetet për t’u parë ditëve në vazhdim. Kurse, edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, nuk ka dhënë një datë se kur mund të thirret seanca për konsituimin e Kuvendit të Kosovës.

Një ditë më parë, ajo ka thënë se një veprim të tillë do ta marrë brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh. Ndryshe, sipas nenit 66 të Kushtetutës dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, legjislatura e re duhet të konstituohet jo më larg se 7 gushti.

Kushtetuesja ka sqaruar se “mbajtja” e seancës konstituive nuk nënkupton vetëm mbledhjen e deputetëve në sallë, por përfundimin e të gjitha veprimeve kushtetuese që e bëjnë Kuvendin funksional, përfshirë verifikimin e mandateve, betimin e deputetëve, si dhe zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Certifikimi i rezultateve është bërë të mërkurën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

EMISIONET