Kur obeziteti quhet sëmundje? Mjekët arrijnë në një dakordësi që mund të ndryshojë trajtimin e miliona njerëzve

Kur obeziteti quhet sëmundje? Mjekët arrijnë në një

Për dekada me radhë, këshilla më e zakonshme për njerëzit me obezitet ka qenë: "Hani më pak dhe lëvizni më shumë." Sot, gjithnjë e më shumë mjekë pranojnë se realiteti është shumë më kompleks.

Sipas ekspertëve, obeziteti duhet të konsiderohet një sëmundje kronike, pasi lidhet me mekanizma biologjikë që shkojnë përtej vullnetit individual. Vendimi i Shoqatës Mjekësore Amerikane për ta njohur si sëmundje që në vitin 2013, si edhe raporti i fundit i Komisionit të The Lancet, kanë forcuar këtë qasje.

Specialisti i obezitetit, Carel le Roux, shpjegon se shtimi në peshë nuk është thjesht pasojë e konsumimit të tepërt të kalorive, por lidhet edhe me mënyrën se si truri rregullon rezervat e yndyrës në organizëm.

Sipas tij, pikërisht kjo është arsyeja pse shumë persona e rifitojnë peshën edhe pasi ndjekin dieta të rrepta.

Ekspertët po kërkojnë gjithashtu një mënyrë më të saktë për diagnostikimin e obezitetit. Deri më tani, vlerësimi është bazuar kryesisht te Indeksi i Masës Trupore (BMI), por studiuesit theksojnë se ky tregues nuk pasqyron gjithmonë sasinë reale të yndyrës apo ndikimin e saj në shëndet.

Raporti i The Lancet propozon që, përveç BMI-së, të merren parasysh edhe përqindja e yndyrës trupore, perimetri i belit dhe shenjat e dëmtimit të organeve apo komplikacionet që lidhen me obezitetin.

Mjekët besojnë se njohja e obezitetit si sëmundje mund të ndihmojë në uljen e paragjykimeve ndaj pacientëve dhe të përmirësojë aksesin në trajtime më efektive.

Megjithatë, ekspertët theksojnë se trajtimi nuk mbështetet vetëm te medikamentet apo kirurgjia. Ai kërkon një kombinim të ndryshimeve në stilin e jetesës, kujdesit mjekësor dhe mbështetjes afatgjatë.

Ndërsa kërkimet shkencore vazhdojnë, specialistët janë optimistë se në vitet e ardhshme do të krijohen metoda edhe më të sakta për diagnostikimin dhe trajtimin e obezitetit, duke e trajtuar atë si çdo sëmundje tjetër kronike./MONITOR

EMISIONET