TRAGJEDIA E KOTLINËS/ Kurti 'rikthen' ngjarjen e rëndë e 24 marsit në 99': Autorët ende s'janë përballur me drejtësinë

Në përvjetorin e 27-të të ngjarjeve të 24 marsit 1999, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, riktheu kujtesën te masakra në fshatin Kotlinë.
Ai përshkroi se në atë mëngjes forcat serbe rrethuan fshatin me tanke dhe mjete të blinduara, mbledhën civilët me dhunë në qendër dhe ushtruan keqtrajtime ndaj tyre.
Kurti kërkoi drejtësi për viktimat dhe denoncoi mungesën e përgjegjësisë për autorët e këtyre krimeve.
Ngjarjet e 24 marsit 1999 mbeten një nga momentet më të rënda të luftës në Kosovë, duke lënë shenja të thella në komunitetin lokal.
"Në orët e para të mëngjesit të 24 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin Kotlinë me tanke dhe automjete të blinduara. Pjesëtarë të Brigadës së Mekanizuar 243 të Ushtrisë së Jugosllavisë, në bashkëveprim me njësite speciale të policisë, mblodhën me forcë banorët në qendër të fshatit, duke ushtruar dhunë dhe keqtrajtim ndaj civilëve të pambrojtur. Pasi i keqtrajtuan, forcat e armatosura serbe vranë mizorisht tre të moshuar, trupat e të cilëve më pas i dogjën, në një akt brutal çnjerëzor. Më pas, gratë, fëmijët dhe pleqtë u dëbuan me dhunë nga fshati, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan. Fshatin e shkatërruan pothuajse tërësisht, duke djegur shtëpitë, shkollën dhe ambulancën. 35 të rinj u morën peng dhe u dërguan drejt maleve, ku 22 prej tyre u vranë. Mes viktimave kishte edhe djem të moshës 16-17 vjeçare. Trupat e tyre u hodhën në puse të thella, dhe u mbuluan me eksploziv, në përpjekje për të fshehur krimin e kryer. Gjashtë muaj më vonë, në shtator të vitit 1999, ekipe të mjekësisë ligjore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), kryen ekzaminime në terren dhe dokumentuan varreza masive në këto puse, duke ofruar prova materiale për vrasjet dhe përpjekjet për fshehjen e tyre. Edhe pse ish-gjenerali i policisë serbe, Vllastimir Gjorgjeviq, një nga përgjegjësit, është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë të kësaj masakre nuk janë përballur ende me drejtësinë. Në përvjetorin e 27-të, kujtojmë me dhimbje dhe nderim të gjithë të vrarët e Kotlinës. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës" shkroi Kurti.
Postimi i Albin Kurtit:


