DISIDENTËT SHQIPTARË: ZËRAT E SË VËRTETËS/ Beti Njuma sjell historitë e intelektulaëve që sfiduan censurën komuniste
Gazetarja Beti Njuma promovoi dokumentarin “Disidentët shqiptarë: Zërat e së vërtetës”, kushtuar shkrimtarëve dhe intelektualëve që sfiduan censurën komuniste. Përmes dëshmive dhe materialeve arkivore, nderohen ata që u përndoqën për fjalën dhe mendimin e lirë.

Historitë e shkrimtarëve dhe intelektualëve që sfiduan censurën e regjimit komunist përmes fjalës së lirë dhe krijimtarisë së tyre rrëfehen në dokumentarin “Disidentët shqiptarë: Zërat e së vërtetës”, me autore gazetaren Beti Njuma.
I ndërtuar mbi dëshmi autentike, materiale arkivore dhe pamje historike, dokumentari hedh dritë mbi një nga periudhat më të errëta të shtypjes së mendimit dhe fjalës së lirë në Shqipëri.
Autorja theksoi se ruajtja dhe përcjellja e këtyre dëshmive është thelbësore për të mos lejuar që e kaluara të harrohet dhe sakrifica e disidentëve të mbetet jashtë kujtesës kolektive.
Duke folur për realizimin, Beti Njuma u ndal te figurat e përfshira në dokumentar, veprat e tyre dhe përndjekja që përjetuan për shkak të bindjeve dhe qëndrimeve të shprehura lirshëm.
“Disidentët shqiptarë: Zërat e së vërtetës”, synon të nxisë reflektim mbi vlerën e lirisë së shprehjes dhe përgjegjësinë për ruajtjen e kujtesës historike.
I prezantuar në Bibliotekën Kombëtare, në prani të miqve, kolegëve të autores dhe studiuesve, dokumentari vjen si homazh për të gjithë ata që u persekutuan, u burgosën apo humbën jetën vetëm sepse zgjodhën të shpreheshin lirshëm!

