“Reformat duhet të vijojnë të thellohen”/ Marta Kos: Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos deklaroi se ditën e sotme janë mbyllur tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Gjatë fjalës së saj, Kos u shpreh se ky është një moment i madh për vendin, duke theksuar se kjo është “super e marta për zgjerimin”.

Ajo theksoi se Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe ka qenë në përputhje të plotë me Bashkimin Europian. Megjithatë, Kos nënvizoi se reformat duhet të vijojnë të thellohen.

“Sot mbyllëm tri kapitujt e parë me Shqipërinë, është moment i madh për vendin, është super e marta për zgjerimin. I mbyllëm për arsimin, kërkimin shkencor dhe marrëdhëniet e jashtme, kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Shqipëria është pjesë e familjes europiane, ka qenë në përputhje të plotë me Bashkimin Europian. Më shumë se 50 mijë studentë kanë marrë pjesë në Erasmus Plus. Përgëzime miqve shqiptarë, kjo u bë e mundur se ka përmbushur pikat e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Ky është një hap i ndërmjetëm, duke thënë se reformat duhet të vijojnë të thellohen. Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz deri në fund të 2027.

Këtë inkurajojmë të vijojë progresi në drejtësi, antikorrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar, ne këmbëngulim për reformat rrënjësore. Sondazhi i fundit tregon se në Shqipëri 92 për qind e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit, 94 për qind mendojnë se anëtarësimi do të sjellë më shumë avantazhe dhe 93 për qind i besojnë BE-së. Reformat kanë sukses nëse të gjithë ata që janë të prekur të dëgjohen. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim!” tha ajo.

EMISIONET