Maqedonia e Veriut, pro Kosovës në NATO
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut ku ka takuar homologun Stevo Pendarovski. Ky i fundit ka deklaruar se anëtarësimi në NATO i Kosovës është garanci për të ardhmen.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Atje ka takuar fillimisht homologun e saj Stevo Pendarovski. Biseduan në tryezën e përbashkët për projektet që i vijnë në ndihmë qytetarëve në të dyja anët e kufirit.
Osmani nënvizoi se e ardhmja e dy shteteve është në familjen euro-atlantike, duke siguruar kështu një paqe afatgjatë në rajon.
"E ardhmja e vendeve tona, e rajonit tonë është në familjen e shteteve euro-atlantike, e kjo është garancia më e madhe për paqe dhe prosperitet afatgjatë në rajon. Që të dy vendet tona e kanë dëshmuar që pavarësisht sa e vështirë është kjo rrugë, asnjëherë nuk do të ndahemi dhe nuk do të largohemi nga ajo".
Presidentja e Kosovës gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e ndërtimit të autostradës Bllacë-Shkup, e cila sipas saj do të ketë qasjen më pozitive në sektorin e shkëmbimit tregtar.
Nga ana e tij presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski shprehu mbështetjen e vendit të tij për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si garanci për të ardhmen e saj.
Dy shtetet respektive sipas tij luajnë një rol të rëndësishëm në përjekjet për arritjen e një stabiliteti të përhershëm në Ballkanin Perëndimor.