Bisedimet maratonë në Ohër, stërmundimet e Perëndimit për mbylljen e konfliktit Kosovë-Serbi
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç u vunë ballë për ballë në Ohër për të diskutuar rrugën dhe ritmin e zbatimit të marrëveshjes së normalizimit të marrëdhënieve propozuar nga BE dhe mbështetur nga SHBA.
Liderët e Kosovës e Serbisë ishin vendosur ballë ballë ashtu siç i kanë edhe qëndrimet.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak që më herët i takuan ndarazi qëndronin në mes.
Dosje në dorë, ujë dhe lule. Para mediave u shfaqën të qetë.
Prej orës 15:22 minuta u ngritën vetëm për një pushim disa minutësh në orën 17:00, pas të cilit u rikthyen sërish në tryezë.
Krijimi i Asociacionit është pika e nxehtë.
Albin Kurti para se të ulej në tryezë tha se ishte i gatshëm për marrëveshje.
Aleksandër Vuçiç ndërkohë është shprehur se në Ohër nuk ka shkuar për të firmosur.
As SHBA nuk presin firmë, por finalizim të marrëveshjes siç bëri të qartë i dërguari i posaçëm për Ballkanin Gabriel Eskobar, i cili ishte në Ohër si vëzhgues.
Propozimi i BE-së nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i njohin dokumentet e njëra-tjetrës, si pasaportat, diplomat dhe targat e makinave.
Mediat kanë raportuar se krahas planit, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç kanë në dorë dhe një non paper ku paralajmërohen se refuzimi i marrëveshjes pezullon rrugën e integrimit në BE dhe sjell pasoja të rënda për të dy shtetet.