BE propozon kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 13 vjeç

BE propozon kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 13

Një panel ekspertësh i Bashkimit Evropian ka rekomanduar kufizimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 13 vjeç, në të gjithë bllokun, duke theksuar se përdorimi i tyre duhet të lejohet vetëm nën mbikëqyrjen e prindërve ose në ambiente edukative.

Raporti, i hartuar me nismën e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u prezantua të hënën në Bruksel.

Disa vende të BE-së, përfshirë Spanjën, Greqinë, Gjermaninë dhe Austrinë, kanë shprehur synimin për të vendosur ndalime ligjore për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit deri në një moshë të caktuar.

Megjithatë, çdo përpjekje për të vendosur kufizime moshe në platforma si TikTok, Instagram dhe Snapchat, ka të ngjarë të kërkojë ndërhyrje në nivel evropian, pasi Komisioni Evropian është përgjegjës për zbatimin e rregullave ndaj platformave të mëdha online në BE dhe ligjet kombëtare, duhet të jenë në përputhje me legjislacionin evropian.

Von der Leyen ka shprehur së fundmi, shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe ka ngritur një panel ekspertësh për t’i dhënë Komisionit rekomandime mbi mbrojtjen e të rinjve në internet.

Ajo ka përmendur Australinë si një model të mundshëm, pasi vendi u bë i pari në botë, që vendosi në fund të vitit 2025 ndalimin e aksesit në rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç.

Komisioni Evropian pritet të paraqesë propozime ligjore për këtë çështje më vonë gjatë këtij viti.

EMISIONET