I përfshirë në trafikimin e 2.5 tonëve k*kainë/ U gjet me dokumenta të rreme të Kosovës, arrestohet në Beograd i kërkuari nga Interpoli (EMRI)

I përfshirë në trafikimin e 2.5 tonëve k*kainë/ U gjet

Vuk Vulleviq, shtetas i Malit të Zi dhe i kërkuar me fletarrestim ndërkombëtar nga Interpoli, është arrestuar në Beograd. Gjatë ndalimit, policia serbe bëri të ditur se atij iu gjetën dokumente personale të falsifikuara të lëshuara në Kosovë.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vulleviq u arrestua më 12 korrik në një lokal në Beograd. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi dy telefona celularë dhe dokumentet e falsifikuara, ndërsa ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal edhe për falsifikim dokumentesh.

Autoritetet serbe bëjnë me dije se ndaj Vulleviqit ishte lëshuar fletarrestim i kuq nga Interpoli në Podgoricë për organizim të grupit kriminal dhe prodhim, posedim e trafikim të paautorizuar të narkotikëve. Ai kërkohej gjithashtu edhe nga Gjykata e Lartë në Beograd, në kuadër të bashkëpunimit me autoritetet malazeze.

Pas arrestimit, Vulleviq pritet të dërgohet në Departamentin e Posaçëm për Krim të Organizuar të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Sipas autoriteteve malazeze, ai dyshohet se është pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Vaso Ulliqi dhe Radoje Zviceri. Ky grup është përfshirë në hetimet për kontrabandën e rreth 2.5 tonëve kokainë, për të cilën Prokuroria Speciale e Malit të Zi ngriti aktakuzë ndaj 19 personave në korrik të vitit 2024.

Operacioni "General", në kuadër të të cilit u zhvilluan hetimet, u mbështet nga Europol, FBI, DEA dhe Policia Federale Australiane.

Vulleviq është përmendur më herët edhe në hetime të tjera për kontrabandë kokaine dhe ngjarje të rënda kriminale në Mal të Zi. Për disa prej këtyre akuzave ai është shpallur i pafajshëm, ndërsa për raste të tjera nuk është zhvilluar procedurë gjyqësore.

EMISIONET