Shqipëria merr pjesë në EUROGYM 2026 në Itali, bashkëpunim për zhvillimin e gjimnastikës

Shqipëria ishte pjesë e EUROGYM 2026, festivalit më të madh evropian të gjimnastikës për të rinjtë, që u zhvillua në qytetin e Pistojas (Itali), ku morën pjesë mbi 7 mijë të rinj nga e gjithë Evropa.
Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Fidel Ylli mori pjesë në aktivitet me ftesë të presidentit të Federatës Italiane të Gjimnastikës, Andrea Facci.
Sipas njoftimit të KOKSH-it, festivali promovoi përmes performancave dhe aktiviteteve sportive vlerat e lëvizjes olimpike, si miqësia, respekti, përfshirja dhe bashkëpunimi.
I shoqëruar nga presidenti i Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, Leonard Lulaj, presidenti i KOKSH, Fidel Ylli ndoqi ceremoninë zyrtare të hapjes dhe zhvilloi takime me drejtues të rëndësishëm të gjimnastikës evropiane, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sporti.
Prania e Shqipërisë në EUROGYM 2026 vjen pak javë pasi vendi ynë fitoi të drejtën për të organizuar “Tirana Golden Age Gym Festival 2028”, një nga aktivitetet më prestigjioze të gjimnastikës në Evropë, i cili pritet të sjellë në kryeqytet mijëra sportistë dhe pjesëmarrës nga dhjetëra vende.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bëri të ditur se do të vijojë të mbështesë federatat sportive në përpjekjet për zhvillimin e sportit, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe promovimin e Shqipërisë si organizatore e aktiviteteve të mëdha sportive evropiane.


