BE përgatit reformë të re për zgjerimin / Pritet diskutim strategjik mbi integrimin dhe anëtarësimet e ardhshme

Bashkimi Evropian pritet të zhvillojë këtë vjeshtë një diskutim strategjik për zgjerimin dhe reformat, një proces që do të formalizohet në dokumentin përfundimtar të samitit dyditor të udhëheqësve në Bruksel, më 18–19 qershor.
Sipas draft-konkluzioneve të samitit, të cilat i ka parë Radio Evropa e Lirë, Këshilli Evropian do të mbajë në tetor 2026 një debat të posaçëm mbi mënyrën e re të zgjerimit të BE-së, në një kohë kur procesi i pranimit po konsiderohet në një fazë të re dinamike.
Në dokument theksohet se samiti BE–Ballkani Perëndimor në Tivat është vlerësuar si një moment që ka krijuar “vrull të ri” në procesin e zgjerimit, duke nxitur diskutime të reja brenda institucioneve evropiane.
Në javët e fundit janë shfaqur disa propozime jozyrtare (non-paper) nga vende dhe grupe shtetesh anëtare, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, të cilat sugjerojnë modele të reja integrimi. Këto përfshijnë ide si status vëzhguesi për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe forma të anëtarësimit të pjesshëm për disa vende kandidate.
Një tjetër propozim nga një grup shtetesh të BE-së sugjeron kufizimin e të drejtave të anëtarëve të ardhshëm, me qëllim ruajtjen e funksionalitetit të institucioneve dhe forcimin e respektimit të vlerave themelore të Unionit.
Burime diplomatike në Bruksel theksojnë se po shqyrtohen qasje të reja për të reformuar procesin e zgjerimit, duke sinjalizuar se modeli tradicional i anëtarësimit mund të pësojë ndryshime të rëndësishme.
Drafti i konkluzioneve përmend gjithashtu konceptin e “integrimit gradual”, që nënkupton afrimin progresiv të vendeve kandidate me BE-në gjatë vetë procesit të reformave, në një qasje të bazuar në meritë dhe që mund të jetë e kthyeshme.
Udhëheqësit evropianë pritet ta miratojnë këtë qasje në përfundim të samitit, duke hapur rrugën për një fazë të re të procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian./REL



