Zhupa: Zhvillimi urban në Shqipëri po bëhet pa transparencë dhe konsultim publik

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa u shpreh sot se në Shqipëri nuk kemi zhvillim normal urban, por kemi një model të ngritur mbi mungesën e transparencës, mbi privilegjet, mbi përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja dhe mbi betonizimin e territorit.

Në një konferencë për shtyp, Zhupa iu referua librit “Dosjet shqiptare”, redaktuar nga Anneke Abhelakh, i cili përmban një kapitull mbi secilën prej 60 studiove ndërkombëtare të arkitekturës që punojnë në Shqipëri.

Sipas saj, ky libër nuk është thjesht një katalog ndërtimesh po është dëshmia më e qartë se si Edi Rama e ka trajtuar Shqipërinë për vite me radhë: si pronë private, si një ekspozitë personale dhe si një territor ku vendos vetëm ai.

Sipas saj, vetë arkitektët e përfshirë në këto projekte e pranojnë atë që qytetarët kanë kuptuar prej kohësh. “Ata flasin për ftesa të drejtpërdrejta nga Kryeministri. Flasin për projekte që nuk kanë kaluar përmes konkurseve. Flasin për një proces ku vizioni i një njeriu zëvendëson konsultimin publik, institucionet dhe interesin e komuniteteve lokale”, shtoi ajo.

Zhupa theksoi se në çdo demokraci normale, transformimi i territorit bëhet përmes debatit publik, planifikimit afatgjatë dhe respektimit të interesit të qytetarëve dhe mosprekjes së zonave të mbrojtura dhe trashëgimisë kulturore.

“Në Shqipërinë e Edi Ramës, territori është trajtuar si një plaçkë për t’u ndarë. Në 41 për qind të projekteve nuk identifikohet fare porositësi apo zhvilluesi. Kjo mungesë transparence nuk është një detaj teknik. Është tregues i një kulture qeverisëse ku shqiptarët nuk konsiderohen pronarë të territorit, por spektatorë të vendimeve që merren mbi ta. Për vite me radhë, shqiptarëve u është premtuar zhvillim, ndërsa në realitet kanë parë betonizim. U është premtuar hapësirë publike, ndërsa kanë parë privatizim të saj. U është premtuar mbrojtje e trashëgimisë, ndërsa kanë parë copëzimin dhe dhënien me koncesion të saj”, shtoi Zhupa.

Ligji për Investimet Strategjike, sipas saj, u kthye në mekanizëm për dhënien e privilegjeve të jashtëzakonshme mbi tokën publike dhe private.

“Ligji hoqi çdo lloj mbrojtje zonave të mbrojtura dhe e la në dorë të qeverisë për të ndërtuar ku të donte, pa asnjë kufizim. Ndaj, protesta qytetare kundër këtyre ligjeve dhe kundër qeverisë po bashkon gjithnjë e më shumë njerëz. Sepse qytetarët po kuptojnë se nuk po përballen me projekte të veçanta, por me një model të tërë qeverisjeje”, tha Zhupa.

Duke iu rikthyer librit “Dosjet shqiptare”, Zhupa theksoi se “kudo shfaqet e njëjta logjikë: zgjerimi i vazhdueshëm i betonit drejt zonave më të ndjeshme dhe më të vlefshme të territorit shqiptar dhe shkatërrimi i çdo trashëgimie kulturore apo natyrore”.

“Po flasim për qindra-mijëra dhe në disa raste miliona metra katrorë zhvillim të planifikuar në brigje, laguna, parqe kombëtare dhe zona me rëndësi të jashtëzakonshme natyrore. Po flasim për territore që u përkasin brezave të shqiptarëve dhe jo qeverive të përkohshme. Dosjet e Shqipërisë duhet jenë indicie për dosjet e ardhshme të SPAK-ut”, u shpreh Zhupa.

Sipas saj, shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit, por janë kundër zhvillimit pa rregulla, pa konsultim dhe që shkatërron trashëgiminë dhe betonizon bregdetin.

EMISIONET