Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi” sjell artin lirik në Krujë!

Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar “Ramiz

Qyteti historik i Krujës u shndërrua mbrëmjen e së martës në një qendër të rëndësishme të artit lirik, me organizimin e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi”.

I zhvilluar në Pallatin e Kulturës “Ibrahim Bërdaku”, festivali synon të ruajë dhe promovojë trashëgiminë artistike të Ramiz Kovaçi, një prej figurave më të shquara të operës shqiptare, duke shërbyer njëkohësisht si një burim frymëzimi për artistët e rinj.

Atmosfera artistike u pasurua nga interpretimet live të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, ndërsa në skenë performuan edhe emra të njohur të muzikës klasike shqiptare, mes tyre tenori Kastriot Tusha, i vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, si dhe sopranoja Ramona Tollumani.

Ramiz Kovaçi mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të artit operistik shqiptar, me një karrierë të pasur dhe role të spikatura në vepra të njohura si “Skënderbeu”, “Mrika”, “Goca e Kaçanikut”, “Madama Butterfly”, “La Bohème”, “La Traviata” dhe “Carmen”.

Festivali pritet të kthehet në një traditë të rëndësishme kulturore, duke e vendosur Krujën në hartën e aktiviteteve ndërkombëtare të muzikës klasike.

EMISIONET