Gjermania zhgënjen në grupin e lehtë/ Zyberaj: Franca po bind më shumë në Botëror

E ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, moderatorja sportive Anila Zyberaj ka analizuar startin e këtij edicioni të Kupës së Botës, ku rezultatet e para kanë sjellë disa surpriza të mëdha dhe kanë ndryshuar pritshmëritë për skuadrat favorite.
Zyberaj u ndal te paraqitjet e kombëtareve nga Azia dhe Afrika, të cilat kanë treguar një nivel më të lartë nga sa pritej dhe kanë vënë në vështirësi disa prej ekipeve tradicionale.
Sipas saj, zgjerimi i numrit të pjesëmarrësve ka sjellë më shumë konkurrencë dhe ka nxjerrë në pah rritjen e skuadrave që më parë konsideroheshin jashtë elitës.
“Botërori nisi ndryshe, sepse kishte më shumë ekipe. Kombëtaret nga Azia dhe Afrika kanë surprizuar dhe kanë ndryshuar shumë parashikime”, u shpreh Zyberaj.
Ndër zhgënjimet më të mëdha të fazës së parë, ajo përmendi Holandën dhe veçanërisht Gjermaninë, e cila nuk ka arritur të tregojë nivelin që tifozët presin nga një prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror.
“Nuk mendoj se është ajo Gjermania e vjetër që tifozët janë mësuar të shohin. Lojtarët i ka, sepse shumë prej tyre luajnë me Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, por skuadra nuk po bind”, tha moderatorja sportive.
Gjermania kishte një grup që në letër konsiderohej i favorshëm, por rezultatet kanë ngritur pikëpyetje mbi formën dhe karakterin e kësaj kombëtareje në turneun më të rëndësishëm të futbollit.
Në fund, Zyberaj u ndal edhe te favoritët për trofeun, duke vendosur Francën në listën e skuadrave që kanë dhënë më shumë garanci deri tani.
“Për këtë Botëror, Franca është një nga skuadrat që më bind më shumë”, tha ajo, ndërsa gara tashmë hyn në fazën ku përballen ekipet elitare dhe gabimet nuk falen.


