TAKIM ME ISH-TË PERSEKUTUARIT/ Berisha: Inxhinierët e naftës u p*shkatuan sepse nuk plotësuan pritshmëritë e Enver Hoxhës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për historinë e elitës së naftës në Shqipëri gjatë një konference kushtuar inxhinierëve dhe drejtuesve të këtij sektori të persekutuar gjatë regjimit komunist.
Berisha u ndal te figurat e profesionistëve të naftës, të cilët sipas tij u përballën me ndëshkime të rënda nga diktatura, pasi kundërshtuan ndërhyrjet politike në një fushë që kërkonte vlerësime shkencore.
“Jemi mbledhur sot për të nderuar martirizimin e elitës intelektuale të naftës, inxhinierë të shquar dhe të përkushtuar, të cilët u eliminuan, u torturuan, u burgosën dhe u ekzekutuan vetëm sepse shfaqën mendimin e tyre shkencor”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, sektori i naftës gjatë diktaturës u trajtua jo vetëm si një fushë ekonomike, por edhe si një çështje ideologjike, ku dështimet i atribuoheshin shpesh profesionistëve të këtij sektori.
Berisha përmendi rastin e gjeologut Stanislav Zuber dhe inxhinierëve të tjerë, të cilët u akuzuan si sabotatorë dhe u ndëshkuan nga regjimi. Ai u ndal edhe te mënyra e drejtimit të kërkimeve për naftë gjatë asaj periudhe, duke sjellë si shembull ndërhyrjet politike në vendimmarrjet teknike.
“Meqenëse pritshmëritë e diktatorit nuk realizoheshin, ata goditeshin. Ata ishin njerëz të zotë, të aftë, që kishin bërë më të mirën për vendin e tyre, por përfunduan si armiq të popullit dhe sabotatorë”, tha Berisha.
Në fjalën e tij, kreu demokrat e cilësoi historinë e specialistëve të naftës si një nga episodet tragjike të persekutimit të intelektualëve gjatë regjimit komunist.


