“Nuk ka më kthim pas”/ Spahiu zbulon ndryshimin e madh të skuadrave në fazën me eliminim direkt
I ftuar në emisionin “Ora e Botërorit”, analisti sportiv Mehmet Spahiu ka analizuar ndryshimin mes fazës së grupeve dhe ndeshjeve me eliminim direkt, aty ku çdo gabim mund të sjellë fundin e aventurës për një skuadër.
Spahiu u ndal te aspekti psikologjik dhe mentaliteti i ekipeve në momentin kur kalojnë në fazën vendimtare të turneut. Sipas tij, në grup një rezultat negativ mund të korrigjohet përmes ndeshjeve të tjera dhe llogarive, ndërsa në eliminim direkt presioni rritet dhe skuadrat tregojnë vlerat e tyre reale.
“Kur je në grupe, edhe nëse bën një hap fals ke mundësi të korrigjosh dhe të bësh llogari të tjera. Por kur kalon në ndeshje direkte me eliminim, nuk ka më kohë për gabime. Aty ndryshon mentaliteti, psikologjia dhe impenjimi i skuadrave”, u shpreh Spahiu.
Sipas tij, pikërisht këto përballje nxjerrin në pah karakterin e vërtetë të ekipeve, pasi loja vendos nëse ato janë vërtet ato që priten apo nëse fshihen surpriza.
“Këtu kemi skuadrat e vërteta dhe portretet e vërteta të tyre. Pastaj nëse janë ato që pretendojmë apo jo, këtë e tregon vetëm loja”, tha analisti.
Spahiu u ndal edhe te emocionet që sjellin këto sfida, duke vënë në dukje se spektakli dhe golat janë elementi që e bëjnë futbollin një nga sportet më të ndjekura në botë.
“E rëndësishme është që shënohen gola, sepse për këtë luhet futbolli. Është një mrekulli”, tha ai, duke iu referuar edhe një përballjeje të fundit me shumë gola dhe emocione, ku rrjeta u tund pesë herë dhe u diskutua edhe për një gol të gjashtë.
Sipas Spahiut, pikërisht pasiguria dhe mungesa e mundësisë për rikthim janë ato që i japin fazës me eliminim direkt emocionin maksimal.


