VIDEO/ Tabaku: 5 mijë lekë për pensionistët, 360 milionë euro për koncesionin Milot–Balldren
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj bonusit prej 5 mijë lekësh të qeverisë për pensionistët, duke e cilësuar atë një lëmoshë sezonale që nuk përballon dot rritjen e kostos së jetesës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku thekson se pensionistët shqiptarë marrin pensionet më të ulëta në rajon, ndërsa përballen çdo ditë me çmime që po u afrohen niveleve të Bashkimit Europian.
Tabaku sjell si shembull çmimet e produkteve të bulmetit, të cilat, sipas saj, janë 36% më të larta se mesatarja europiane, ndërsa Shqipëria shpenzon vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shëndetësinë.
Ajo nënvizon se bonusi për rreth 777 mijë pensionistë i kushton buxhetit afërsisht 35 milionë euro, një shumë dhjetë herë më e ulët se kostoja e koncesionit të rrugës Milot–Balldren, e cila ka arritur në rreth 360 milionë euro.
Sipas Tabakut, bonuset e përkohshme nuk mund të zëvendësojnë një politikë serioze për rritjen e pensioneve dhe garantimin e një jetese dinjitoze për të moshuarit.
Deklarata e deputetes së PD, Jorida Tabaku:
Çfarë vlere ka një bonus prej 5 mijë lekësh, kur gjithçka është shtrenjtuar?
Çmimet në Shqipëri janë sa 90% e mesatares së Bashkimit Europian, ndërkohë që pagat janë vetëm sa 20% e mesatares së Bashkimit Europian.
Vetëm produktet e bulmetit, djathi dhe qumështi, janë 36% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Shpenzimet për shëndetësinë janë vetëm 2.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Këto janë të gjitha të dhëna që tregojnë se 5 mijë lekëshi për 777 mijë pensionistë është thjesht një lëmoshë.
Janë pothuajse 35 milionë euro, ndërkohë që, me një të rënë të lapsit, koncesioni i rrugës Milot–Balldren ka shkuar në 360 milionë euro, dhjetë herë më shumë.
Kjo tregon se sa vlejnë pensionistët për qeverinë shqiptare.
Pensionistët nuk vlejnë pothuajse asgjë për këtë qeveri.
Bonusi sezonal dhe lëmosha sezonale nuk i ndihmojnë pensionistët të kenë një jetë më dinjitoze.
Ndërkohë që buxheti i shtetit është i mbushur me abuzime dhe është kthyer në strehë për korrupsionin, tenderat, koncesionet, asetet publike dhe faljet e taksave, për 777 mijë pensionistë ka vetëm një lëmoshë sezonale prej 5 mijë lekësh.


