“Wall Street Journal": Trump mendoi sulme ndaj Iranit, por zgjodhi rrugën diplomatike

Shtetet e Bashkuara po lëvizin mes dy skenarëve të kundërt për Iranin, një përshkallëzim ushtarak në shkallë të plotë ose vazhdimin e negociatave diplomatike. Presidenti Donald Trump ka shqyrtuar të dyja opsionet, por deri tani ka zgjedhur të mos kalojë drejt një konflikti të hapur, sipas raportimeve të mediave amerikane.
Sipas një raporti të “Wall Street Journal”, Trump ka konsideruar ditët e fundit mundësinë e rikthimit në një përballje ushtarake me Iranin, ndërsa njëkohësisht ka mbështetur përpjekjet për zgjidhje diplomatike.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka bërë të ditur se mes palëve po përdoret një kanal komunikimi për shmangien e përshkallëzimit, që përfshin nga njëra anë Gardën Revolucionare të Iranit dhe nga ana tjetër ushtrinë amerikane.
Trump, sipas raportimit, i ka thënë bashkëpunëtorëve të tij se mungesa e një marrëveshjeje për programin bërthamor iranian deri në afatin e 18 gushtit nuk do të përbënte domosdoshmërisht problem.
Paralelisht, ai ka zhvilluar diskutime me Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth dhe Shefin e Shtabit të Përbashkët, gjeneral Dan Caine, mbi opsionet e SHBA-së, përfshirë edhe mundësinë e tërheqjes nga negociatat dhe ndërmarrjen e veprimeve ushtarake.
Në këtë fazë, administrata amerikane mbetet mes presionit për veprim dhe linjës diplomatike, ndërsa vendimi përfundimtar nuk është marrë ende.


