Vendimi për vulën e PD, Pollo: Drejtësinë dhe lirinë do ta gjejmë më 14 maj
Ish-ministri Genc Pollo ka reaguar në lidhje me vendimin e marrë nga Gjykata e Apelit në lidhje vulën e Partisë Demokratike.
Pollo e quajti Gjykatën e Apelit një dorë e zgjatur e kryeministrit Edi Rama për të goditur PD dhe pluralizmin në vend.
Megjithatë Pollo ka shtuar se ajo që ndodhi do të rregullohet në një moment të dytë, pasi për momentin fokusi i opozitës është fushata për zgjedhjet e 14 majit.
"Një njoftim i keq e i shëmtuar erdhi sot nga Gjykata e Apelit; e cila u shfaq si dorë e zgjatur e Edi Ramës për të goditur Partinë Demokratike dhe pluralizmin.
E megjithatë nuk është momenti për të vajtuar logon dhe emrin e partisë. Ato do të korrigjohen një ditë tjetër. Siç do gjëndet nje zgjidhje e përkohshme për nesër e tutje.
Nuk ja vlen barra qeranë as t’u zëmë emrin në gojë atyre që morën peshqesh logon dhe emrin; sepse mund të ulemi në nivelin e tyre.
Fokusi ynë është fushata bashkiake me në ballë kandidatët tanë të mrekullueshëm. Aty do e gjejme forcën, drejtësinë e lirinë! Në 14 maj!", shprehet Genc Pollo.