Shehu pas vendimit për vulën e PD: Ditë e zezë për drejtësinë shqiptare, degradim i demokracisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit për vulën e PD-së.
Nëpërmjet rrjeteve sociale, Shehu e ka quajtur ditën e sotme si “ditë e zezë për drejtësinë shqiptare”, teksa ka shtuar se kjo është një “deja vu” e degradimit të mëtejshëm të demokracisë.
“Ditë e “zezë” për drejtësinë shqiptare! Një “deja vu” e vërtetë e degradimit në radhë të parë të drejtësisë, e më tej edhe të demokracisë sonë! Jo për PD-në, sepse ne ishim koshient që kjo do të ndodhte, dihej prej kohësh!
Nuk mund të ndodhte ndryshe në kushtet e regjimit, që ka “futur duart” thellë në sistemin e drejtësisë së “rilindur”, ndërsa “këmbët” i ka vendosur mbi demokracinë! E dinim këtë, që kur filluam atë rrugëtim të ringritjes së PD-së, të nxjerrjes së saj nga “këneta”, që kur e çliruam nga “kthetrat” grabitqare të regjimit.
Kjo e sotmja është “goditja e fundit”, që ai regjim i rezervon PD-së së ringritur, të lirë tashmë, të gatshme për të çliruar edhe demokracinë tonë. Por dhe kjo tentativë regresive e Ramës & Co është e destinuar të përfundojë në “kosh”, të zhbëhet, ashtu si përfundoi i gjithë skenari i turpshëm kundër saj, për disa vite me radhë.
Turp i vërtetë sot edhe për zbatuesit e këtij skenari anti-demokratik. Por në radhë të parë duhen “pështyrë në fytyrë” me përbuzje “patericat”, “eunukët” e Ramës, përçarësit e paguar të PD-së.
Kushdo, që kujton se duke i varur Rama në qafë një vulë a simbol, mund të vjedhë PD…! …Mund t’ja rrëmbejë atë demokratëve! Por dhe këta gabojnë rëndë, shumë rëndë, si padroni i tyre!”, deklaron ligjvënësi demokrat Tritan Shehu.