Opozita më e hutuar pas vendimit të Apelit/ Çullhaj: Alibeaj i vonuar për bashkim, Berisha mund të garojë me PL në zgjedhje

Politologu, Florian  Çullhaj, duke analizuar vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit që ktheu për rishqyrtim në shkallën e parë çështjen e vulë së PD thotë se jemi në një situatë anormale politike.

Në një intervistë për Rtv Ora, ai tha se çdo tension brenda opozitës shkon në favor të Edi Ramës dhe mazhorancës.

Çullhaj: Përballë nesh kemi një situatë anormale politike. Çdo tension brenda opozitës është në favor të pozitës dhe ky është një problem shumë i madh për ne. Tensionimi po vazhdon dhe për mendimin tim është një tensionim i kalkuluar tre ditë para afatit, afati është 6 marsi, i cili do që opozita të shkojë në zgjedhje e papërgatitur, e çorientuar, me një krizë të brendshme të pazgjidhur.

Nga burime brenda kampit të Alibeajt, pritet që në orët në vijim Alibeaj në këtë mbledhje të shpalosë një platformë të qartë për bashkimin e demokratëve dhe bashkëpunimin për zgjedhjet e 14 majit.

Çullhaj thotë se një rezultat zgjedhor pozitiv kërkon me patjetër bashkim por shton se Alibeaj është i vonuar në këtë drejtim.

Çullhaj: Rezultati domosdoshmërisht kërkon bashkim. Është e domosdoshme që opozita të jetë një front i përbashkët. Mëgjithatë Alibeaj këtë duhet ta mendonte që në krye të herës, që në fillim të gjithë këtij kalvari. Ka një problem kjo pjesa e opozitës që bëhet një lloj ndihmese e pozitës në parlament, kanë votuar një sërë ligjesh problematike. Ky fakt e bën atë ilegjitim në kërkesat e tij në kuptimin e bashkimit. Janë njësh me pozitën, nuk i ndan dot. Nuk jam besimplotë në këtë pozicion të Alibeajt. Jam besimplotë te ideja që tanimë kemi një mbipozitë, një pozicion të jashtëzakonshëm të kryeministrit që sipas të gjitha gjasave ka vendosur një lloj hegjemonie politike në çdo institucion.

Për politologun vendimi i sotëm e ka hutuar më tej opozitën.

Çullhaj: Opozita po bëhet më e hutuar seç ka qenë. Me këtë vendim sot PD mund të hyjë në koalicion me Partinë e Lirisë. Do ishte mirë që të dyja palët të gjenin gjuhën e përbashkët por me çfarë është thënë deri më tani kanë shkuar shumë larg. Problemi i brendshëm i PD është tjetër, ai i zgjedhjeve tjetër. Për zgjedhjet duhet të jenë bashkë se nuk i kanë numrat për të qenë opozitë e qëndrueshme në zgjedhjet lokale.Pesha e popullit është e qartë për të gjithë.

EMISIONET