“Veliaj qënie laboratorike”, Berisha: I papërgjegjshëm, në Tiranë nuk blen dot shtëpi, duhen 90 vite punë

Të papërgjegjshëm e cilësoi Sali Berisha, kryebashkiakun Erion Veliajn duke e akuzuar se e ka bërë Tiranën të pajetueshme. Nga Vora ku prezantoi kandidatin për zgjedhjet e majit, Berisha tha se për blerjen e një apartamenti në Tiranë duhen 90 vite punë.

Në prezantimin e kandidatit të bashkisë Vorë, pjesë e qarkut Tiranë, Sali Berisha akuzoi Erion Veliaj sa e ka bërë kryeqytetin të pajetueshëm.

"Mbrëmë kryetari i Bashkisë së Tiranës në ikje, deklaronte me mburrje se ua ka rritur ndërtuesve 8-herë taksat. Më falni po, u dogji barku atyre, asgjë përkundrazi, që të gjitha i paguani ju dhe dëgjoja një njeri që po të kishte një emër të dytë, do të quhej i papërgjegjshëm. Gazetari i thoshte që nga vjet gjer në sivjet, u rrit me 110 % çmimi i ndërtimit, shumë mirë thoshte, vlerësim, se i kam vënë ndërtuesit taksa.

Po çfarë i bërë ti ndërtuesit me taksa, ai po shet dyfishin e çmimeve tani, e kush po i paguan, xhepat e qytetarëve po i paguajnë, ose do të rrinë pa strehim, do marrin dheun. Shtëpi, apartament nuk blejnë dot.Ata që nuk mund të blejnë dhe nuk çojnë dot shtëpi, nuk imagjinojnë të blejnë një apartament se u duhen nga 60 deri në 90 vite punë, ata goditen. Një kryetar bashkie që vepron në këtë mënyrë, është një kryetar bashkie, si një qenie laboratorike i transformuar krejtësisht pa ndjenja".

Kandidatët e koalicionin “Bashkë Fitojmë” i cilësoi të qytetarëve e tha se përballë tyre partia në pushtet ka zgjedhur kandidatë që përfaqësojnë krimin e bandat.

"Kandidatët e tjerë janë kandidatët që dolën pas mesnate në orën 1 të natës nga zyrat e PS-së, pa u pyetur asnjë socialist i vetëm. Kandidatët e tjerë janë kandidatë që mbajnë 2-3 emra, kudo që shkoj më dalin përpara ata. Kandidatët e tjerë janë kandidatë që qytetarët normalë nuk i pëlqejnë, i duan që të kenë 2-3 emra, do të thoshte Pal Tusha, kryetari i PS-së së Rubikut, do ti thoshte Ndrecës që me dajak u emërua kandidat për Mirditën. Kandidatët e tyre pra nuk përfaqësojnë socialistët, nuk përfaqësojnë mbështetësit e PS-së, përfaqësojnë krimin bandat, organizatat kriminale, shtetërore dhe jo shtetërore dhe ky është dallim shumë i madh. Ky është një dallim madhor".

Sali Berisha u zotua për taksa më të ulëta për qytetarët e bizneset.

"Ju siguroj se, ne në filozofi dhe të gjithë përfaqësuesit tanë janë për taksat më të ulëta të mundshme, sepse ato janë barrë mbi ju, sepse ata rëndojnë jetën tuaj".

Tha se shqiptarët janë të vjedhur e të varfër ndaj 35% prej tyre janë larguar nga vendi.

"Monizmi është asfiksi e shoqërisë. Monizmi po shkreton Shqipërinë.Në 8 vitet e fundit, nga Vora nga Shqipëria, janë larguar 35% e banorëve. Asnjë luftë, më e egra, nuk ka larguar dot nga një vend, 35%. Në luftën e Dytë Botërore, Polonia ishte plasdarma më e përgjakshme e Europës dhe botës, humbi 20 % të popullatës. Kurse ne në këtë monizëm, kemi humbur 1/3".

Zgjedhjet e 14 maj i cilësoi historike ndaj për mbështetësit adresoi një mesazh.

"14 maji është një ditë historike. Nuk janë zgjedhje vetëm për bashkitë, qeveritarët vendorë. Me 14 maj, çdo demokrate e demokratë, çdo qytetare e qytetarë që i beson lirisë, ftohet për të përmbysur monizmin. Ne sot pra jemi në një mision dhe ky mision na fton të bëjmë gjithçka, të mbledhim çdo votë, që më 14 maj në mbarë Shqipërinë të përzëmë pushtetin monist. Helmut Kohl ka thënë një fjalë të madhe: Për një votë unë do të bëja 600 km me biçikletë.

Ua thashë këtë fjalë të këtij kolosi të konservatorizmit për të kuptuar se në këtë mision që jemi çfarë përpjekjesh të mëdha duhet të bëjmë ne pas çdo vote, me çdo qytetar. Ndryshimi sot është më jetik se asnjëherë këto 30 vite që nga viti 1992. Këta nuk kanë ndjenja për qytetarët, as për socialistët, as për të papartitë, as për ju e as përkërkënd, këta vetëm vjedhin. Atëherë a ja vlen apo jo të bëjmë dhjetëra e qindra kilometra për 1 votë në mënyrë që ti largojmë në 14 maj. Ja vlen, pa diskutim, ky është mision".

sali berisha zgjedhjet e 14 majit

EMISIONET