Tabaku ndan mesazhet Evropa: Ja skema se si po pastrohen paratë me ligjet e qeverisë
Nga ambientet e parlamentit, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë aktuale, duke e lidhur sistemin e ngritur me arrogancën, korrupsionin dhe atë që ajo i quan "ligje me porosi". Këto deklarata vijnë pas zhvillimeve të fundit në Parlamentin Europian, të cilat duket se i kanë dhënë zë shqetësimeve të kahershme të qytetarëve dhe opozitës.
Sipas deputetes, rezoluta e fundit e Parlamentit Europian është një tregues i qartë se ndërkombëtarët po kërkojnë anulimin e ligjit për investimet strategjike dhe atij për zonat e mbrojtura. Një theks i veçantë u vu te çështja e pastrimit të parave. Duke u mbështetur në dosjet më të fundit të bëra publike nga SPAK, u nënvizua se paratë e krimit, drogës dhe korrupsionit po pastrohen përmes sektorëve të ndërtimit dhe turizmit.
Zhvillimet në Evropë kanë prodhuar edhe amendamente të forta, të cilat synojnë pezullimin e menjëhershëm të ligjit për investimet strategjike. U bë e ditur se po kërkohet që çdo projekt në të ardhmen të ketë një analizë të thellë mjedisore dhe përfshirje të gjerë të shoqërisë civile e pronarëve, duke vendosur madje edhe moratoriume aty ku nuk plotësohen kushtet.
E pyetur nga gazetarët nëse pritet një reflektim dhe vullnet nga ana e mazhorancës për të zbatuar këto kërkesa që zyrtarisht nuk janë detyruese, përgjigjja ishte mjaft skeptike. Deputetja theksoi se qeveria nuk ka vullnet politik për integrimin dhe frymën europiane, pasi nëse do ta kishte, nuk do t'i kishte miratuar këto ligje problematike.
Paralajmërimi ishte i qartë: edhe pse rezoluta nuk është ligjërisht detyruese sot, çdo detyrim i injoruar do të kthehet në një kusht të panegociueshëm nesër, kur Shqipëria të ketë nevojë për votën e Parlamentit Europian në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit.
PËR MË SHUMË NDIQNI TË GJITHA PUNIMET PARLAMENTARE NË SEANCËN E SOTME

