Sot 8 Marsi/ Rama : Krenar që sot kemi shumë gra që udhëheqin, drejtojnë dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit tonë

Në podcastin e tij "Flasim", kryeministri Edi Rama përkujtoi rëndësinë e rolit të grave në shoqëri dhe politikë, duke uruar të gjitha nënat, motrat dhe vajzat shqiptare për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

"Nuk mund t’i nisja asesi këto shënime pa një urim paraprakisht për një ditë shumë të veçantë, 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe ditën e shënuar të nënave, motrave, vajzave tona.

Është gjithmonë një ditë e rëndësishme edhe për të shprehur mirënjohjen dhe respektin me të gjithë dashurinë e merituar për gratë dhe vajzat, që kemi rreth nesh, por edhe për rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të tyre, jo vetëm në familje, por edhe në shoqëri dhe në jetën e vendit, përfshirë dhe jetën politike dhe vendimmarrjen. 

Jam shumë krenar të them se sot kemi gjithnjë e më shumë gra që udhëheqin, që drejtojnë, ndërtojnë, krijojnë dhe që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit tonë.

Ato janë në parlament, ato janë qeveri, ato janë në të gjithë zinxhirin e institucioneve, ato janë në sipërmarrje, ato janë në shkolla, në universitete, ato janë në teatro, në hapësirat e jetës artistike, ato janë në sport, ato janë kudo. Kudo një vlerë e shtuar, kudo një forcë e pazëvendësueshme. 

Dhe nuk mjafton të shohësh realitetin e sotëm të vendit për të kuptuar se energjia dhe roli i grave në jetën publike dhe shoqërore, që ka qenë një rol i adresuar, i mbështetur, i promovuar në mënyrë të posaçme në këtë dekadë të qeverisjes sonë, ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm. 

Ndaj, nuk më mbetet veçse të uroj nga zemra, jo vetëm Gëzuar 8 Marsin për të gjitha gratë, për të gjitha nënat, motrat, gjyshet, vajzat shqiptare, jo vetëm t’i falenderoj për gjithçka bëjnë, por edhe të uroj me gjithë zemër që pjesëmarrja e tyre të rritet, angazhimi i tyre të rritet dhe çfarë ato i sjellin Shqipërisë, të jetë dhe më shumë, falë rritjes së pjesëmarrjes dhe angazhimit të tyre", u shpreh Rama.

EMISIONET