S'KA SURPRIZA/ PS nuk e lëshon Olta Xhaçkën, rrëzohet "Kushtetuesja", Spiropali: Nesër çështja në Venecia

Kuvendi i Shqipërisë nuk ka arritur të mbledhë votat e nevojshme për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Kuvendi votoi me 25 vota pro, 65 abstenime dhe 9 kundër, duke mos arritur shumicën e thjeshtë prej 71 votash, të nevojshme për të dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë votimit, 38 deputetë të pranishëm në sallë nuk votuan. Deputetja Xhaçka, megjithëse ishte e pranishme, nuk mori pjesë në votim.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, pas votimit, deklaroi se çështja do të kalojë në Komisionin e Venecias për mendim.

“Teksa Kuvendi ka zbatuar të gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe meqë ky vendim nuk u miratua, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, nesër si Kryetare e Kuvendit do t’i drejtohem Komisionit të Venecias për një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjen e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit,” tha Spiropali.

Kjo ishte hera e tretë që Kuvendi u thirr për të votuar mbi kërkesën e 1/10 së deputetëve për të dërguar mandatin e deputetes Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

S'KA SURPRIZA/ PS nuk e lëshon Olta Xhaçkën, rrëzohet

EMISIONET