Tedi Blushi braktis Konferencën e Kryetarëve: Të ndalet menjëherë dh*na ndaj qytetarëve!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka braktisur mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve në Kuvend, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të përplasjeve mes policisë dhe protestuesve jashtë godinës së Parlamentit.
Blushi deklaroi se asnjë diskutim në Kuvend nuk ka vlerë në një kohë kur, sipas tij, qytetarët po dhunohen dhe po lëndohen gjatë protestës.
“Asnjë diskutim nuk ka vlerë në këtë Kuvend kur ndërkohë gjakosen dhe dhunohen protestuesit. Nuk duhet të bëjmë sikur asgjë nuk po ndodh jashtë Kuvendit”, u shpreh Blushi.
Ai i bëri thirrje kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, që të ndërhyjë për të ndalur situatën, duke e cilësuar të papranueshme dhunën ndaj protestuesve.
“Nuk mund të qëndroj në një mbledhje ku deputetët ruhen me badigardë, ndërsa qytetarët dhunohen barbarisht”, tha Blushi.
Sipas tij, përplasjet jashtë Kuvendit kërkojnë reagim të menjëhershëm dhe jo vijimin e punimeve sikur situata të jetë normale.


