Sekretet e familjeve të Byrosë Politike/ Ngjela: Miqësia me Vladimir Shehun, origjina e nënës dhe dënimi në një dhomë burgu me tim atë

Një rrëfim nga avokati Spartak Ngjela, në emisionin “Drejt”, në “Ora News”, sjell në dritë detaje të panjohura nga prapaskenat e regjimit komunist, duke u ndalur te marrëdhëniet e ndërlikuara mes familjeve të larta të Byrosë Politike dhe goditjet e pamëshirshme të diktaturës.

Avokati ka ndarë episode të rralla që përfshijnë figura qendrore si Mehmet Shehu dhe ish-ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela.

Një nga momentet më interesante lidhet me miqësinë e Spartak Ngjelës me djalin e Mehmet Shehut, Vladimirin, të cilin e përshkruan si një intelektual të nivelit të lartë, por që ndante qëndrime kundërshtare ndaj sistemit, pavarësisht postit të babait të tij.

 Ky kundërshtim solli edhe një përplasje të drejtpërdrejtë kur Mehmet Shehu kërkoi që Ngjela të mos ftohej në një festë familjare. Megjithatë, vendosmëria e Vladimirit, i cili kërcënoi me anulimin e festës, bëri që kryeministri të tërhiqej dhe të sillej mjaft mirë gjatë aktivitetit.

Nga ana tjetër, presioni i partisë kishte filluar të ndihej edhe mbi Kiço Ngjelën lidhur me sjelljen dhe qëndrimet e djalit të tij. Kur sekretarët e partisë i kërkuan llogari, përgjigjja e ish-ministrit ishte e prerë: ai refuzoi të ndërhynte në bindjet e të birit, duke i sfiduar që ta çonin në burg nëse kishte shkelur ligjin. Kjo tregonte pavarësinë dhe karakterin e fortë të një njeriu që drejtoi Ministrinë e Tregtisë për plot 25 vjet.

“Nuk janë thënë sot, unë e kisha shok të ngushtë. Kundërshtar ishte. Po ata kishin një gjë, ishin të matur në publik. Kurse unë s'isha fare në publik, kisha dalë fare unë.

S'më mbante koka fare. Këtu dallonim. Ndoshta kjo është diferencë e tipit, jo e mendjes. Se Ladi ishte një intelektual i nivelit shumë të lartë, por kundërshtar, e pranonte ai...

 Kundërshtar në një kohë që të atin e kishte kryeministër. Në një darkë që ishim ne që bëja, merrja pjesë dhe unë, Shehu i tha Ladit, në këtë festë Ngjela nuk duhet të vijë. Për mua.

E dinin që isha kundërshtar. Por ky i tha, në qoftë se s'vjen ai, unë nuk e bëj festën. Kishte fejesën ose dasmën me duket. Edhe më pranuan, vajta atje, ai u soll shumë mirë. Ai u soll shumë mirë.

Mehmeti u soll shumë mirë. Pavarësisht se kishte bërë atë që të thashë, se kemi parasysh një gjë, marrëdhëniet me Kiço Ngjelën, Mehmeti i kishte në një nivel të lartë, ai çfarë... Ai ka qenë 25 vjet ministër i tregtisë, s'ka lëviz nga vendi.

Ja kishin thënë si parti. Jo Mehmeti. Një nga këta, sekretarët, s'po i përmendim emra. Ai tha: "Pse më thoni mua? Po ka bërë për burg, çojeni në burg." I tha ai. Ishte tregtar ai... ishte... ku e mundje dot Kiço Ngjelën. "Në qoftë se e ka bërë ndonjë gjë", tha, "çojeni në burg, ç'punë kam unë. Ai është 25 vjeç, çfarë t'i them unë", tha. "Bindjet do t'ia ndërroj?" E kam marrë vesh më vonë se unë kam qenë në një dhomë burgu me të.

Po ki parasysh një gjë. Disidenca kur goditi Kiço Ngjela u gëzua. Kundërshtarët e regjimit.

Bile, i madh, atë ditë që do ta arrestonin, ka qenë te motra, edhe u tha atyre, që ishin aty të fisit: "Pesë vjet jua kam garantuar unë. Pas pesë vjetësh", tha, "do hani gjethe. Gjethe do hani! Ra regjimi." Më kupton? Nuk vazhdonte... do hani gjethe po ra regjimi. Kështu i tha.

Në shtëpinë tonë kishte një marrëveshje, midis meje dhe tim eti. Edhe nënës. Nëna ime ka qenë 20 e sa vjet zëvendësministre e parë e shëndetësisë aty.

Ajo ishte partizane por kishte origjinë shumë të lartë. Cila ishte origjina? Gjyshi i saj, kryeministër i Perandorisë Osmane”, u shpreh Ngjela.

Ndiqni emisionin e plotë:

EMISIONET