Rilindja 2.0/ Demo zbulon projektet: Investime në parkime, menaxhimin e mbetjeve e transport publik
Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo gjatë fjalimit tij në eventin “Rilindja 2.0”, ka prezantuar projektet e reja për Bashkitë. Demo bërë të ditur se do të bëhen investime në parkime, menaxhimin e mbetjeve dhe transportit publik. Sipas tij, në vend janë aktualisht 83 muze, ndërsa përmes paketës së re të mbështetjes do të realizohen 22 projekte konkrete. Ai theksoi se kjo paketë do të mundësojë krijimin e rreth 70 muzeve bashkiakë, të cilët do të fokusohen te traditat dhe veçoritë lokale të zonave.
“Falënderoj kryeministrin Rama, që ka hedhur idenë për Rilindjen 2.0. Unë besoj fort se të gjithë ne kryetarët e bashkive jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që hasim çdo ditë në territor. Sot kemi 83 muze në territor, janë 22 projekte konkrete që do të marrin jetë. Me këtë paketë, me këtë mbështetje financiare, kjo paketë do krijojë 70 muze bashkiakë, që do të fokusohen tek traditat lokale. Ne po punojmë që të zgjidhim dhe çështjen e parkimit. 120 milionë euro do të harxhohen për ta zgjidhur çështjen e parkimit. Na duhen arkitektë, që krijojnë qytete, që ofrojnë dimensione të reja.
Kjo do ketë impakt edhe për peizazhin urban. Ne duam që të ndihmojmë të rinjtë, që duan të ndërmarrin hapa në sipërmarrje. Ne duhet të vazhdojmë këtë sukses. Edhe mjedisi është i rëndësishëm, sepse patjetër që mjedisi është një sfidë që na ka shoqëruar prej shumë vitesh. Është një sektor që kërkon investime të mëdha. Ne jemi të vetëdijshëm sesa rëndësi ka që territori të mbulohet 100 përqind në menaxhimin e mbetjeve. Investime janë parashikuar në këtë sektor, deri në 2030 do jenë 150 milionë euro që do të hidhen për të mbrojtur mjedisin”, tha Demo.

