Rama për dokumentin “Besa”: Një marrëveshje e re mes qeverisë dhe shqiptarëve...
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një cikël të ri politik që e ka quajtur “Rilindja 2.0”, duke shpallur edhe dokumentin “Besa”, të cilin e cilësoi si metodën për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe për ta kthyer mandatin e katërt në një përvojë të re qeverisjeje.
Në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama deklaroi se sfida e re e mazhorancës nuk është më transformimi i vendit, por kthimi i këtij transformimi në një realitet të qëndrueshëm, të besueshëm dhe të prekshëm për çdo qytetar.
SINKRON Edi Rama:
“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik. Besa është metoda për ta kthyer atë cikël në një përvojë të re për qytetarët e Shqipërisë.”
Kreu i qeverisë tha se dokumenti “Besa” do të jetë një udhërrëfyes për mënyrën e re të punës dhe shërbimit ndaj qytetarëve, duke e lidhur këtë nismë me reflektimin e tij pas asaj që e cilësoi si “pasqyra e bulevardit të flamingove”.
Rama u ndal edhe te protesta e zhvilluar në bulevard, duke deklaruar se qeveria nuk është në luftë me protestuesit dhe se mesazhi që ai u përcjell qytetarëve është: “Ju kam dëgjuar”.
SINKRON Edi Rama:
“Protestuesit që kanë votuar këtë qeveri janë matësi i ri i standardeve.”
Kryeministri tha se protesta i ka shërbyer mazhorancës për të kuptuar më mirë pakënaqësitë e qytetarëve dhe për të nxjerrë mësime për mënyrën e qeverisjes në mandatin e ri.
Në një fjalim të gjatë, me tone reflektuese dhe autokritike, Rama pranoi se disa institucione dhe struktura në varësi të qeverisë kanë nevojë për ndryshim, ndërsa theksoi se Shqipëria sipas tij ka hyrë në një epokë të re.
Në fund të fjalës së tij, kreu i mazhorancës bëri dallimin mes atyre që i cilësoi “flamingo”, si simbol i qytetarëve që kërkojnë ndryshim, dhe atyre që i quajti “korba”, duke i akuzuar për qëndrime penguese ndaj zhvillimit të vendit.

