Balliu kërkon interpelancë urgjente për dh*nën e ushtruar ndaj qytetarëve protestues

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka depozituar në emër të Partisë Demokratike një kërkesë për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, duke kërkuar llogari për dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që protestuan përpara Kuvendit të Shqipërisë. Kërkesa është paraqitur në mbështetje të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit.

Sipas Balliut, gjatë protestës janë raportuar raste të përdorimit të forcës, shoqërime me dhunë, përdorim të gazit lotsjellës, sprajit irritues dhe ujit me presion, ndërsa disa qytetarë kanë përfunduar në spital pas përplasjeve me policinë.

Në kërkesën për interpelancë, Balliu kërkon që ministri të japë shpjegime për zinxhirin e komandimit, bazën ligjore të përdorimit të forcës, shoqërimet dhe ndalimet e protestuesve, pretendimet për dhunë policore, përdorimin e mjeteve irrituese, pengimin e gazetarëve, identifikimin e efektivëve dhe masat e marra për hetimin e plotë të ngjarjeve.

Balliu deklaron se e drejta për protestë është një e drejtë kushtetuese dhe se çdo tejkalim i kompetencave nga Policia e Shtetit duhet të marrë përgjigje politike dhe institucionale, duke theksuar se dhuna ndaj qytetarëve nuk mund të mbetet pa përgjegjësi.

 

EMISIONET