"Kam menduar se janë mosmirënjohës"/ Rama u drejtohet ‘Flamingove’: Edhe socialistët dhe administrata dolën në bulevard për një mesazh

Kryeministri Edi Rama e nisi mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me një reflektim mbi protestën e njohur si ajo e "Flamingove", duke e cilësuar atë si pikënisjen e një qasjeje të re në mandatin e katërt qeverisës.

Rama bëri të ditur se ka përgatitur dy dokumente, një strategjik për qeverisjen dhe një tjetër për rolin e Partisë Socialiste në mbështetjen e këtij procesi.

Sipas tij, të dy dokumentet janë të hapura për diskutim dhe synojnë t'i përgjigjen realitetit të ri me të cilin përballet vendi.

Kryeministri solli si shembull një bisedë me një kryetar bashkie, i cili ishte ankuar për qytetarët që protestonin edhe pse, sipas tij, kishin përfituar investime në lagjen e tyre.

"Ju nuk jeni mosmirënjohës. Ju jeni matësi i ri i standardeve tona. Ju nuk protestuat kundër atyre që kryebashkiaku kishte bërë për ju dhe as kundër tij. Ju protestuat sepse kërkesat tuaja kanë ndryshuar."-tha ai

Rama tha se përdorimi i termit "mosmirënjohës" është një mënyrë e gabuar për të parë reagimin e qytetarëve dhe se protestat nuk duhen interpretuar si kundërshtim ndaj arritjeve të qeverisë.

Sipas tij, në protestat e qershorit morën pjesë jo vetëm qytetarë të pakënaqur, por edhe votues të Partisë Socialiste, anëtarë të saj dhe punonjës të administratës shtetërore.

"Ata që votuan për ne dolën dhe u bashkuan me të tjerët edhe kur protesta drejtohej kundër meje. Edhe njerëz të administratës shkuan në protestë, sepse Shqipëria e sotme nuk jeton më me hijen e së shkuarës, kur njerëzit largoheshin nga puna për bindjet e tyre."-shtoi Rama.

Kryeministri argumentoi se pjesëmarrja e administratës në protesta është tregues i ndryshimeve demokratike në vend dhe jo një shenjë dobësie e qeverisë.

Sipas Ramës, qytetarët që dolën në bulevard nuk synonin të mohonin transformimin e Shqipërisë gjatë tre mandateve të fundit dhe as t'i bashkoheshin thirrjeve politike kundër qeverisë, por të jepnin një mesazh se standardet dhe pritshmëritë ndaj institucioneve janë rritur.

Ai e cilësoi protestën e "Flamingove" si një moment reflektimi për Partinë Socialiste, duke kërkuar që mandati i katërt të ndërtohet mbi një marrëdhënie të re me qytetarët, ku kritika dhe kërkesa për llogaridhënie të shihen si pjesë e zhvillimit të qeverisjes dhe jo si mungesë mirënjohjeje.

 

EMISIONET