KOK-u dhe Aeroporti i Prishtinës koordinohen për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030

KOK-u dhe Aeroporti i Prishtinës koordinohen për Lojërat

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, kanë zhvilluar takim me shefin ekzekutiv të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, Gökhan Açikgöz, ku është diskutuar për bashkëpunimin në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, në takim është vlerësuar rëndësia e koordinimit ndërmjet KOK-ut, Komitetit Organizativ të Lojërave Mesdhetare dhe Aeroportit të Prishtinës, me qëllim që sportistët, delegacionet dhe vizitorët ndërkombëtarë të kenë kushte sa më të mira gjatë qëndrimit në Kosovë.

Palët kanë diskutuar për mundësitë e krijimit të lehtësirave për pjesëmarrësit e Lojërave Mesdhetare, si dhe për organizimin logjistik të fluksit të mysafirëve që pritet të vijnë në Kosovë gjatë kësaj ngjarjeje të madhe sportive.

KOK-u dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës kanë shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin, duke theksuar se koordinimi ndërinstitucional do të jetë një nga faktorët kryesorë për një organizim të suksesshëm dhe për një pritje sa më të mirë të komunitetit sportiv ndërkombëtar në Prishtina 2030.

KosovaPress

EMISIONET