Rama ndan “flamingot” nga “korbat”: Njëra palë kërkon zgjidhje, tjetra ushqen urrejtjen

Rama ndan “flamingot” nga “korbat”: Njëra palë

Kryeministri Edi Rama u ndal te protesta e “Flamingove”, duke e lidhur reagimin qytetar me problemet e krijuara nga marrëdhënia mes administratës dhe njerëzve.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Rama u shpreh se një nga shqetësimet kryesore që ka nxitur pakënaqësinë është mungesa e empatisë dhe sjellja arrogante e disa zyrtarëve ndaj qytetarëve.

Sipas tij, protesta solli në pah dy realitete të ndryshme: kërkesat e qytetarëve për zgjidhje konkrete dhe përpjekjet për ta shfrytëzuar pakënaqësinë përmes gjuhës së urrejtjes.

“Është bërë e padurueshme mungesa e empatisë dhe arroganca e zyrtarëve të shtetit. Flamingot na treguan kërkesa legjitime, korbat e sorrat jargët e urrejtjes.”-tha Kryeministri.

Rama u shpreh se qytetarët që dolën në protestë duhet të shihen si një sinjal për institucionet dhe jo si kundërshtarë.

Sipas tij, kërkesat e tyre janë një tregues i standardeve të reja që shoqëria pret nga qeverisja.

Flamingot na treguan plagën që ta mbyllim ne, sorrat dhe korbat e kruajnë plagën që ta mbajnë sa më gjatë hapur. Flamingot kërkojnë provën e empatisë sonë, korbat dhe sorrat gjak.”-shtoi Rama.

Kryeministri kërkoi një ndryshim në qasjen e administratës ndaj qytetarëve, duke e vendosur theksin te dëgjimi i problemeve konkrete dhe rikthimi i besimit mes institucioneve dhe publikut.

 

EMISIONET