Nga Botërori te polemikat/ Futbollisti italo-australian Cristian Volpato humb patentën pas testit pozitiv për kok*inë

Lajme shumë të këqija për Cristian Volpaton, futbollistin italo-australian në pronësi të Sassuolos, i cili së fundmi mori pjesë në Botëror me Australinë pasi hoqi dorë nga ëndrra për të luajtur me Italinë. Brenda pak orësh ai u ndalua dy herë nga policia rrugore pranë Sydney për tejkalim shpejtësie.
Pas testit antidrogë rezultoi pozitiv me kokainë: makina iu sekuestrua dhe patenta iu pezullua për gjashtë muaj.
Raporti i policisë rrugore: Volpato u ndalua dy herë brenda pak orësh
Lajmi u bë publik dhe u konfirmua nga policia australiane, e cila bëri të ditura edhe detajet e ngjarjes, të ndodhur në mbrëmjen e vonë të së enjtes, më 23 korrik, në zonën mes Pyrmont dhe Glebe Island, në periferi të Sydney.
Volpato u ndalua dy herë brenda një kohe shumë të shkurtër: herën e parë rreth orës 23:00 dhe të dytën pak pas orës 01:00, pas sinjalizimeve për shpejtësi të lartë. Fillimisht ai kishte tejkaluar kufirin me rreth 20 km/h, ndërsa herën e dytë po lëvizte me një shpejtësi të vlerësuar prej 109 km/h, më shumë se dyfishi i kufirit të lejuar, çka çoi në ndalimin e tij dhe kryerjen e kontrolleve.
Sipas raportit të policisë së Sydney, efektivët kryen kontrollet rutinë, përfshirë testin antidrogë. Volpato rezultoi pozitiv me kokainë. Fillimisht ai nuk pranoi se kishte konsumuar substanca para se të ulej në timon, por rezultati pozitiv u konfirmua: makina iu sekuestrua dhe patenta ndërkombëtare iu pezullua menjëherë për një periudhë jo më të shkurtër se gjashtë muaj. Për futbollistin e Sassuolos nuk është ngritur asnjë akuzë penale.
Volpato në Botëror me Australinë: zgjedhja kundër Italisë në momentin e fundit
Emri i tij doli në qendër të vëmendjes pak ditë para nisjes së Botërorit 2026, ku në fund mori pjesë me fanellën e Australisë, me të cilën zhvilloi tre ndeshje përpara se skuadra të eliminohej nga Egjipti në 1/16-at e finales.
Pasi kishte veshur fanellën e Kombëtares Italiane U-19 dhe U-20, Volpato vendosi t’i përgjigjej ftesës së Tony Popovic, pas një periudhe të gjatë këmbënguljeje ndaj futbollistit 23-vjeçar.
Më pas erdhi kthesa, falë mundësisë për të luajtur në Botëror edhe pa Italinë, duke përfituar nga rregullorja e FIFA-s: duke mos debutuar kurrë me Kombëtaren A të Italisë, ai mundi të pranonte grumbullimin dhe të zgjidhte përfundimisht të përfaqësonte Australinë.

