"Besimi u lëkund"/ Rama Protesta e “Flamingove” lindi nga hendeku mes qytetarëve dhe administratës, s'mjaftojnë faktet për t'i bindur

Kryeministri Edi Rama u ndal te protesta e zhvilluar në bulevardin e njohur si protesta e "Flamingove", duke e cilësuar atë si një sinjal të qartë për marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, ai argumentoi se zemra e protestës nuk lidhej vetëm me manipulimet apo ndërhyrjet e jashtme, por me hendekun e krijuar mes pritshmërive të qytetarëve dhe përvojës së tyre të përditshme me administratën.

"Përgjigja për themelin e atij hendeku nuk duhet kërkuar tek pjesët e bashkëngjitura të protestës, por tek pritshmëritë e rritura të njerëzve dhe konflikti i tyre me përvojën e përditshme. Njerëzit presin çdo ditë e më shumë dhe bëhen gjithnjë e më pak tolerantë, sidomos ndaj përvojave të tyre të hidhura me administratën."-tha Kryeministri.

Rama pranoi se protesta u shoqërua me ndërhyrje të jashtme, lajme të rreme dhe përmbajtje të manipuluara në rrjetet sociale, por vlerësoi se këto nuk ishin shkaku kryesor i reagimit qytetar. Sipas tij, pakënaqësia u krijua nga rënia e besimit të qytetarëve se pritshmëritë e tyre do të gjejnë zgjidhje.

Ai shtoi se hendeku nuk mund të mbyllet vetëm me ndryshime në administratë apo me përsëritjen e argumenteve të qeverisë, pasi kur besimi dobësohet, edhe faktet humbasin fuqinë bindëse.

"Kur midis faktit tonë dhe përjetimit të njeriut të zakonshëm hapet një hendek i tillë, atë e ka hapur rënia e besimit. Kur besimi ka rënë, edhe fakti më kokëfortë fillon të duket si gënjeshtër, ndërsa edhe gënjeshtra më e madhe mund të duket si e vërtetë."-shtoi Rama.

Kryeministri u ndal edhe te çështja e projektit në Zvërnec, duke vlerësuar se ajo mori një jehonë shumë më të madhe për shkak të interesit ndërkombëtar që u krijua rreth projektit.

Sipas tij, protesta nuk u fokusua vetëm te investimi, laguna apo debatet për pronësinë, por mori përmasa globale edhe për shkak të lidhjes së projektit me familjen e një figure të njohur të politikës botërore.

Rama argumentoi se pa këtë element, protesta për Zvërnecin do të kishte mbetur kryesisht një debat i brendshëm, ndërsa lidhja me një emër me ndikim ndërkombëtar e ktheu atë në një temë që tërhoqi vëmendjen përtej Shqipërisë.

 

EMISIONET