Rama: Investimet në infrastrukturë kthejnë Matin në destinacion turistik
Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama vijoi sot takimet elektorale në Mat, ku prezantoi kandidatin për kryetar bashkie në 14 maj, kryebashkiakun aktual Agron Malaj.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri kujtoi se si ishte Mati kur PS mori detyrën për drejtimin e bashkisë.
“Kujtoni se çfarë braktisjeje, rrënimi, zymtësie dhe dëshpërimi kishte pothuaj në gjithë bashkitë e Shqipërisë. Madje edhe në ato bashki ku drejtonin socialistët ishte një situatë shumë e rëndë, sepse ata që rikthehen këtu rikërkojnë vota pa pikën e turpit. Edhe kur kanë pasur qeverinë, në asnjë rast nuk kanë pasur sens të zhvillimit të qyteteve dhe komuniteteve. I kanë parë njerëzit si mish për top, i kanë ndarë e përçarë”, tha Rama.
Sipas tij, vota në 14 maj kërkohet për të pastruar e ndriçuar rrugët.
“Kujtoni si ishte Mati kur Agroni mori detyrën, si ishin vargmalet me plehra, sa mijëra tonelata plehra janë hequr nga ato që ishin bërë mal. Nëse mendoni se do vijnë ata dhe do mbajnë pastër qytetin shikoni Shkodrën të cilën e kanë drejtuar prej vitit 1992”, tha Rama.
Duke folur për objektivat e mandatit të ardhshëm, Rama siguroi se do të vijojë puna për zhvillimin e Matit.
“Me ndryshimin epokal që është bërë me rrugën dhe me plotësimin e infrastrukturës që do ta afrojë me Tiranën, edhe Mati si të gjitha bashkitë e tjera do të bëhet destinacion turistik, ku do të vijnë më shumë turistë dhe do të ketë më shumë punë për qytetarët”, siguroi Rama.
Rama u ndal po ashtu te zhvillimet që kanë ndodhur përgjatë këtyre viteve, ku veçoi përmirësimin e rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm të qytetarëve.
Sipas tij, kjo është fushata e parë zgjedhore ku nuk flitet më për ujin e pijshëm. “Ka akoma zona që kanë nevojë për investime, por sot territori i vendit është i mbuluar me ujë të pijshëm më shumë se ishte para vitit ’90, se kemi punuar me këmbëngulje vit pas viti”, shtoi ai.
Rama e konsideroi sot të pakonceptueshme, se si mund t’i jepet vota një force që drejtohet nga një individ që aleatët tanë strategjikë, SHBA, i kanë vënë kryq.
Në një takim elektoral nga Mati, Rama u shpreh se forca përballë edhe pse ka pasur në krye një ultrakomunist ka propaganduar demokracinë si monopol.
“Për ironinë më të madhe të fatit dhe njëkohësisht për talljen më të madhe ndaj gjithë atyre që kanë qenë të persekutuar dhe që kanë pasur të vrarë për shkak të komunizmit, në krye kishin një ultrakomunist, por jo nga ata të ndershmit, por nga ata që për karrierë e ambicien e tyre për pushtet ishin gati të bënin çdo gjë, madje të ndërronin komplet edhe maskën”, tha Rama.
Sipas tij, “sot që ajo maskë është çjerrë nga aleati më i madh strategjik i Shqipërisë, SHBA, dhe është bërë maskë e papërdorshme dhe e padëshiruar jo vetëm në SHBA por në gjithë Europën, është e pakonceptueshme se si ka akoma njerëz të ndershëm që e ndjekin pas”.
“Kjo është e pakonceptueshme sot kur Shqipëria ka një vend në arenën ndërkombëtare që nuk e ka pasur kurrë. Kur respektohet si një vend me dinjitet dhe partner i barabartë në çdo tryezë në Europë e botë, është e ulur në Këshillin e Sigurimit dhe ka marrë drejtimin e OSBE-së”, tha Rama.
Në këtë drejtim, ai theksoi se shqiptarët nuk mundet dot që me votën e tyre t’i kthejnë kurrizin aleatëve dhe partnerëve në emër të asgjëje dhe askujt.
“Është shumë e rëndësishme për të gjithë ata njerëz që në emër të së shkuarës vazhdojnë të mbajnë veten peng, që të reflektojnë mbi këtë gjë. Ju siguroj se të gjithë ata që kanë përfaqësuar të djathtën dhe kanë pasur lidhjet e tyre me lëvizjen patriotike do të rrotullohen në varr kur nipërit e mbesat e tyre të shkojnë të japin votën e tyre për një forcë që drejtohet nga një individ që aleatët tanë strategjikë i kanë vënë kryq”, shtoi Rama.
Rama tha se nuk ka ofendim më të madh për kujtimin e tyre se sa t’i jepet vota një force që është kthyer në pengun e një njeriu të vetëm, për hallet personale të një njeriu të vetëm i cili i turpëroi të gjithë.
“Lëreni mbrapa atë që është i dënuar të mbetet mbrapa dhe të ecim vetëm përpara. Kanë thënë se unë kam vënë në lëvizje gjithë Amerikën dhe e kam bërë Amerikën të bëjë çfarë them unë. Po ta kisha këtë fuqi nuk do kërkoja sot këtu vota për Agron Malaj. Unë nuk e kam këtë fuqi dhe askush nuk e ka. SHBA nuk janë kompani që kontraktohen me çfarëdo qoftë se do t’i kishin kontraktuar me kohë gjithë ato vende që kanë pasuri marramendëse nga nafta. SHBA janë aty si qendër graviteti i vlerave demokratike, një komuniteti ku ne bëjmë pjesë dhe me të cilin ne nuk mund të krijojmë marrëdhënie dyshimi dhe nuk mund të na shikojnë si njerëz të prapambetur, që shqiptarët t’i japim vota personit me të cilin ata thonë nuk bashkëpunojmë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi se nuk mund të bashkëpunojë me kandidatët e opozitës, jo se nuk do por sepse ata nuk dinë të bëjnë projekte.
Kryeministri theksoi se alternativa tjetër i do bashkitë vetëm për t’i marrë pengje. “Doni që bashkia në vend që të merret me punë e shërbime të merret me sherr me qeverinë? Do të marri fondet nga taksat dhe do të çojë në shtëpi çfarë të mundet. Do fusë atje çetën e vet dhe pastaj do paguajë autobuza dhe do t’i nisë kundër qeverisë”, shtoi Rama.
Sipas tij, “ata nuk kanë vizion për punë por vetëm zihen kush është i vërteti”.
“Të gjithë rrejnë, asnjëri nga ata nuk është i vërteti dhe nuk i përfaqëson demokratët e të djathtët. Gjejnë tipikët e dhunës verbale. Kanë filluar sulmin ndaj këngëtarëve që mbështesin lali Erin. Do shkulin edhe pemët tani, se në periudhën kur erdhën në qeveri e bënë. Ne mbillnim dhe ata i hidhnin benzinë pemëve. E keqja e tyre është te ai me damkën në lule të ballit non grata. Ndaj kush do të vazhdojë luftën me Amerikën ta bëjë, ne nuk kemi këtë plan. Atij i është zhdukur emri, këta duan ta mbajnë akoma. Demokratëve u them se “Like floriri” përfaqëson të djathtën”, shtoi ai.