“Qytetarët të reagojnë për shtrenjtimin e naftës”/ Ndoka: Rama ka humbur mbështetjen ndërkombëtare! Protestat, etalon i vetë forcës së opozitës

“Qytetarët të reagojnë për shtrenjtimin e

Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës: deklaron se kryeministri Edi Rama ka humbur mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, duke sjellë si prova reagimet e ambasadave kryesore të BE-së dhe rolin aktiv të Gjermanisë në monitorimin e Shqipërisë.

Në një kohë kur opozita vijon strategjinë e protestave, të cilat i cilëson si “kilometri i fundit”, Ndoka thekson se realiteti politik ka ndryshuar rrënjësisht dhe se Sali Berisha nuk është më i izoluar.

Sipas Ndokës, protestat e opozitës nuk duhet të shihen thjesht si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë, por si një "njësi matëse" e rëndësishme demokratike.

Ai i përshkruan ato si një mjet me të cilin opozita mat peshën e saj dhe aftësinë për të frymëzuar qytetarët, por edhe si një "pasqyrë" ku mazhoranca mund të shohë "hendekun e pakënaqësive" të shkaktuar nga keqqeverisja, aferat korruptive dhe papërgjegjshmëria.

Protestat, sipas tij, i bëjnë mirë shoqërisë në tërësi dhe janë një hapësirë ku qytetarët kërkojnë alternativë dhe besim se gjërat mund të ndryshojnë.

Pika kyçe e argumentit të Ndokës është ndryshimi i qëndrimit të ndërkombëtarëve ndaj qeverisë shqiptare. Ai pretendon se mbështetja e sponsorizuar që gëzonte më parë Kryeministri Rama nuk ekziston më. Si dëshmi, ai përmend deklaratat, sipas tij të paprecedenta, të pesë ambasadave kryesore të BE-së kur qeveria mori një vendim "për të mbrojtur korrupsionin nga sistemi i drejtësisë". Gjithashtu, ai thekson rolin aktiv të Gjermanisë, me autorizimin e SHBA-së, e cila po merret në mënyrë të veçantë me Shqipërinë për çështje si korrupsioni, devijimi i votës dhe mungesa e demokracisë. Këto zhvillime, sipas tij, i janë komunikuar edhe vetë kreut të qeverisë.

Në këtë kontekst të ri, Ndoka vlerëson se edhe pozicioni i ish-kryeministrit Sali Berisha ka ndryshuar. Nëse një vit më parë ai shihej si i izoluar për shkak të statusit "non grata", sot situata është ndryshe. Kreu demokristian argumenton se Berisha tashmë respektohet dhe njihet si "institucion" si në raport me SHBA-në, ashtu edhe me Bashkimin Evropian. Kjo, nënkupton një opozitë më të vendosur dhe koherente, e gatshme për të arritur objektivin e saj madhor.

Data e protestës, 22 Marsi, është zgjedhur për simbolikën e saj historike si dita e fitores së pluralizmit në vitin 1992.

Opozita e sheh këtë moment si vendimtar, duke treguar se është e vendosur të vazhdojë betejën e saj. Prania e qytetarëve në shesh, sipas Ndokës, dërgon një mesazh për të gjithë aktorët politikë për nevojën e "riparimit" dhe rritjes së përgjegjshmërisë.

PJESË NGA INTERVISTA

Atëherë, duke qenë se protesta e së dielës është afër, si e vlerësoni aksionin opozitar? A kanë këto protesta në thelb nerv e para dhe e dyta, a besoni te ndryshimi që mund të vijë përmes protestave të kësaj natyre që po organizohen?

Nard Ndoka: Protestat pa diskutim që kanë një rëndësi të gjerë mund të thoja, pra se si lexohen, se si perceptohen dhe si japin imazhin dhe pasqyrimin e tyre. Është një mjet i rëndësishëm i demokracisë, i hapësirës kushtetuese, një njësi matëse që edhe kur janë politike, opozita mat peshën e vet, sesa ajo i motivon njerëzit, sesa i frymëzon qytetarët që kanë shumë probleme, por gjithmonë ato janë të prirura që të shikojnë edhe një alternativë, që të krijojnë edhe besimin politik që gjërat do të ndryshojnë nesër. Po ashtu është edhe një pasqyrë ku kryeministri në veçanti, por edhe mazhoranca sheh veten, sesa është hendeku i i pakënaqësive i rritur nga papërgjegjshmëria e tyre, nga aferat korruptive, nga keqqeverisja dhe besoj se këto i bëjnë mirë shoqërisë në tërësi. Pastaj është edhe një hapësirë për qytetarët, që me të vërtetë protestat kanë një rëndësi shumë të madhe, për faktin që po marrim një shembull që rritja e paargumentuar korruptive e çmimit të naftës, pra në çdo vend të qytetëruar do të jenë qytetarët ato që të dalin pa i thirrur politika, duke treguar zemërimin e tyre, pakënaqësinë e tyre, mos ta pranojnë këtë gjë.

Opozita a mund të përfitojë nga kjo rritje në masë e pakënaqësisë, ndoshta ekonomike?

Nard Ndoka: Pa diskutim që po! Opozita nuk është thjesht një përfituese në aspektin e kapitalit politik, por është një institucion që duhet të mbajnë peshë, që duhet ta mbrojnë këtë interes të publikut dhe kjo besoj që edhe data 22 është një datë simbolike, 22 marsi është fitorja e pluralizmit të djathtë në vitin 1992. Është një datë që i jep njerëzve një lloj edhe optimizmi për të ecur përpara, që jo vetëm besimi në Zot, por do të kenë edhe një besim edhe te politika se kjo i ndryshon fatet e vendit, ka përgjegjësinë, ka mëkatet e veta dhe prezenca e qytetarëve, i jep një mesazh gjithsecilit për të riparuar veten në aspektin e e përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve.

Por deri ku mund të shkojnë këto protesta zoti Ndoka?

Nard Ndoka: Ka një retorikë politike që i shoqëron këto gjithmonë, pra e ngrejnë kurbën sikur këto protesta do ta rrëzojnë qeverinë në momentin që ato përfundojnë. Ne duhet të jemi të sinqertë në raport me qytetarët, është një njësi matëse shumë e rëndësishme kjo. Pra, mund të ketë edhe një agjendë për ta bllokuar qeverisjen, për ta rrëzuar fare qeverisjen. Kjo është edhe në varësi të pjesëmarrjes, në varësi të situatës politike, në varësi të momentit të duhur. Por deri më sot, ka një ndërgjegjësim maksimal të faktorit ndërkombëtar, që janë të ndërthurura këto. Prandaj edhe opozita i ka marrë me qetësi, me guxim, me kurajë për të ecur përpara, për të vendosur disa piketë mos piketë, është quajtur edhe kilometri i fundit, ka një sens, një logjikë politike kjo protestë. Për faktin që kjo tregon që opozita tashmë është e vendosur. Ka një edhe një tjetërsim të realitetit politik shqiptar. Në qoftë se kemi pasur deri dje kryeministrin Rama, i cili kishte një mbështetje nga faktori ndërkombëtar të sponsorizuar, e padiskutueshme, me elementë korruptivë, me dhurata publike dhe jo publike të tij, sot ky realitet ka ndryshuar.

Pse thoni që nuk e ka një mbështetje ndërkombëtare?

Nard Ndoka: Nuk e ka se janë prova. Janë prova të dukshme dhe të prekshme. E para nuk e ka se janë pesë ambasada kryesore të Bashkimit Evropian të cilët janë shprehur në momentin që Edi Rama mori një vendim duke e mbrojtur Ballukun nga sistemi i drejtësisë. Pra ishin deklarata që s'i kemi parë në këto në këto vite. Së dyti, ka një rol aktiv Gjermania, kuptohet që edhe me suportin dhe me autorizimin e SHBA-ve që ajo të ketë një rol lideri në Ballkanin Perëndimor dhe po merret në mënyrë të veçantë me Shqipërinë, me korrupsionin, me mungesën e demokracisë në këtë vend, me devijimin e votës, me vjedhjet e mëdha që janë bërë, ka tre-katër dosje që ato i kanë në vëmendjen dhe këto ja kanë referuar edhe zotit Rama. Dhe këto janë ngjarje të reja. Përpara një viti patëm zotin Berisha, i cili ishte i izoluar në një farë mënyre, për faktin që non grata e tij politike interferoi edhe tek vendet e Bashkimit Evropian. Sot nuk e kemi këtë realitet, as në raport me SHBA-në, zoti Berisha respektohet prej tyre dhe njihet si institucion, edhe në raport me Bashkimin Evropian, janë të gjitha partitë.

NDIQNI INTERVISTEN E PLOTE ME Z. NARD NDOKA

EMISIONET