"Protestat në Tiranë nuk i solli Moska apo Irani"/ Këlliçi para eurodeputetëve: Shkaku është pakënaqësia ndaj qeverisë

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur në Parlamentin Europian shqetësimet e opozitës për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke folur për protestat e zhvilluara në Tiranë, korrupsionin dhe procesin e integrimit europian.
Gjatë takimit të përbashkët BE-Shqipëri, Këlliçi u ndal te protestat e qytetarëve në kryeqytet, të cilat sipas tij kanë hyrë në një fazë të re dhe nuk lidhen me ndikime të jashtme, por me pakënaqësi ndaj qeverisjes.
Ai foli për lëvizjen e quajtur “Revolucioni i Flamingove”, duke thënë se prej më shumë se një muaji qytetarë të shumtë janë mbledhur në sheshet e Tiranës për të kërkuar ndryshim politik dhe institucional.
Sipas Këlliçit, këto protesta nuk janë më vetëm çështje e opozitës, por lidhen me shqetësime që prekin qytetarët, si funksionimi i institucioneve, ekonomia, shëndetësia, arsimi, emigrimi dhe lufta kundër korrupsionit.
Në fjalën e tij, deputeti demokrat kundërshtoi pretendimet se protestat mund të jenë të nxitura nga faktorë të huaj, duke i cilësuar ato si një reagim qytetar dhe demokratik.
Këlliçi u ndal edhe te libri “The Albanian Files”, të cilin e paraqiti si një dokument që sipas tij ngre pikëpyetje mbi mënyrën e zhvillimit të disa projekteve të mëdha në Shqipëri, përfshirë çështje që lidhen me territorin, pronën publike dhe investimet strategjike.
Ai përmendi zona bregdetare dhe hapësira me rëndësi mjedisore, duke kërkuar vëmendjen e institucioneve europiane ndaj proceseve që lidhen me sundimin e ligjit dhe transparencën.
Në Parlamentin Europian, Këlliçi kritikoi edhe disa vendime të mazhorancës në Kuvend, duke përmendur ligjet për investimet strategjike, zonat e mbrojtura dhe projekte të tjera të mëdha infrastrukturore.
Në fund të fjalës së tij, deputeti demokrat kërkoi që procesi i integrimit europian të lidhet me zbatimin e standardeve europiane dhe funksionimin e institucioneve demokratike.
Ai u bëri thirrje përfaqësuesve europianë që të dëgjojnë zërin e qytetarëve shqiptarë dhe u shpreh se rruga europiane e Shqipërisë duhet të bazohet te shteti i së drejtës, transparenca dhe zgjedhjet e lira.


