Meloni pas samitit të NATO-s: Aleanca mbetet e bashkuar, Italia rrit investimet në mbrojtje

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka bërë bilancin e samitit të NATO-s, duke vlerësuar se Aleanca Atlantike mbetet e bashkuar dhe e gatshme për t’iu përgjigjur sfidave të reja të sigurisë globale.
Në përfundim të punimeve në samit, Meloni u shpreh se Italia do të vijojë të respektojë angazhimet për rritjen e shpenzimeve në mbrojtje, por sipas një plani të përcaktuar nga vetë Roma, duke marrë parasysh mundësitë ekonomike dhe prioritetet kombëtare.
Sipas saj, investimet në sektorin ushtarak duhet të shërbejnë edhe për zhvillimin e industrisë italiane dhe për forcimin e kërkimit teknologjik në vend.
Duke folur për përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit, Meloni përsëriti se Italia ka mbajtur një qëndrim të qartë që nga fillimi dhe nuk ka marrë pjesë në sulmet ndaj Teheranit.
Ajo bëri të ditur se Italia është e gatshme të kontribuojë në pastrimin e Ngushticës së Hormuzit nga minat detare, pavarësisht tensioneve të fundit në rajon.
E pyetur për një reagim të fundit të presidentit amerikan Donald Trump, Meloni zgjodhi të mos komentojë drejtpërdrejt, por u shpreh se nuk është penduar për vendimet e marra në raportet me aleatët.
Kryeministrja italiane tha se ka zgjedhur të punojë për unitetin e Perëndimit dhe përmendi pika të përbashkëta me Trump, si qëndrimet për emigracionin dhe çështjet kulturore.
Në fund, Meloni konfirmoi se Italia do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën. Ajo bëri të ditur gjithashtu se Roma dhe Parisi po diskutojnë një angazhim të përbashkët për mbështetjen e Libanit pas përfundimit të misionit të OKB-së në këtë vend.


