“Nuk duhet të ketë kapacitet bërthamor"/ Rutte nga Ankara jep mesazhin për Iranin: Hormuzi duhet të hapet

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vendosur në qendër të diskutimeve krizën në Lindjen e Mesme dhe tensionet e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, gjatë punimeve të Samitit të NATO-s në Ankara.
Përpara nisjes së sesionit kryesor të samitit, Rutte foli për qëndrimin e aleancës ndaj programit bërthamor të Teheranit dhe rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për transportin global të energjisë.
Shefi i NATO-s bëri të qartë se, edhe pse Irani ndodhet jashtë zonës së mbrojtjes kolektive të Aleancës, vendet anëtare kanë një qëndrim të përbashkët për çështjet kryesore të sigurisë.
“Irani është jashtë territorit të NATO-s. Irani nuk duhet të ketë kapacitet bërthamor. Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet”, u shpreh Rutte gjatë deklaratës për mediat.
Ai u ndal edhe te shqetësimet për zhvillimin e kapaciteteve raketore të Iranit, duke përmendur qëndrimin e vazhdueshëm të NATO-s kundër përhapjes së armëve strategjike.
Samiti në Ankara zhvillohet në një klimë të tensionuar ndërkombëtare, ku përveç luftës në Ukrainë, aleatët po diskutojnë edhe pasojat e përplasjeve ushtarake në Lindjen e Mesme dhe ndikimin e tyre në sigurinë globale, tregjet energjetike dhe transportin detar.


