Nga frigoriferi te frutat e detit, gabimet që mund t’ju prishin pushimet/ Kalleshi: Kujdes me ushqimet e ruajtura

Temperaturat e larta dhe ndryshimet në mënyrën e ushqyerjes gjatë sezonit turistik po sjellin rritje të rasteve me shqetësime gastrointestinale.

Toksikimet ushqimore, diarreja dhe infeksionet e ndryshme të marra në ambiente pushimi janë ndër problemet më të shpeshta gjatë kësaj periudhe.

Në një lidhje direkte për Ora News, ekspertja e ushqyerjes Anila Kalleshi shpjegon se një pjesë e rrezikut lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e ruajtjes dhe përgatitjes së ushqimeve, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta.

Sipas saj, ushqimet që qëndrojnë për një kohë të gjatë në frigorifer, ato që ngrohen dhe ftohen disa herë, si dhe produktet e ruajtura në kushte jo të përshtatshme, mund të kthehen në burim toksikimi.

“Një ushqim i cili ka qëndruar disa ditë në frigorifer mund të bëhet toksik, por gjithashtu edhe ushqimet të cilat janë ngrohur dhe janë ftohur disa herë mund të bëhen toksike. Në këtë periudhë është shumë e rëndësishme të konsumojmë ushqime sa më të freskëta dhe sa më pak të përpunuara.”-tha ajo.

Kalleshi bëri apel për kujdes të shtuar edhe ndaj ushqimeve që konsumohen gjatë pushimeve, sidomos në ambiente ku kontrolli i ruajtjes së produkteve është më i vështirë.

Frutat e detit dhe peshku janë ndër produktet që kërkojnë vëmendje të veçantë, pasi nëse nuk ruhen apo përgatiten siç duhet mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.

Pa harruar frutat e detit, të cilat janë një burim i rrezikshëm i salmonelës. Nëse vendosim që të konsumojmë fruta deti ose peshk, duhet të jemi të sigurt që restoranti që na i ofron këto ushqime përdor produkte të freskëta dhe të sigurta.”-shtoi Kalleshi.

Ekspertja këshillon që gjatë verës të shmangen ushqimet e mbajtura për shumë ditë, të respektohet zinxhiri i ftohjes dhe të preferohen produkte të freskëta, veçanërisht gjatë qëndrimit në plazh, pishina apo hotele.

Me rritjen e temperaturave, higjiena e ushqimit dhe mënyra e ruajtjes së tij mbeten faktorë vendimtarë për të shmangur shqetësimet shëndetësore gjatë pushimeve.

 

EMISIONET