Samiti i NATO-s në Ankara/ Gjunkshi: Europa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj

Samiti i NATO-s në Ankara/ Gjunkshi: Europa duhet të marrë

Analisti dhe ish-ushtaraku Xhemal Gjunkshi ka publikuar një analizë mbi zhvillimet e Samitit të NATO-s në Ankara, duke u ndalur te ndryshimet që po pëson Aleanca Atlantike dhe sfidat e reja të sigurisë globale.

Në analizën e tij me titull “Një Europë më e fortë brenda një NATO-je më të fortë”, Gjunkshi shprehet se samiti zhvillohet në një periudhë kur rendi ndërkombëtar po ndryshon, ndërsa lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe konkurrenca mes fuqive të mëdha po ndikojnë në arkitekturën globale të sigurisë.

Sipas tij, NATO nuk mund të mbetet vetëm një aleancë që reagon ndaj krizave, por duhet të jetë një organizatë që parandalon dhe përgatitet për sfidat e ardhshme.

Një nga mesazhet kryesore të samitit, sipas Gjunkshit, është nevoja që vendet europiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e kontinentit. Kjo nuk nënkupton dobësim të lidhjes me Shtetet e Bashkuara, por një ndarje më të balancuar të përgjegjësive brenda Aleancës.

Ai u ndal edhe te rëndësia e industrisë së mbrojtjes, duke argumentuar se rritja e buxheteve ushtarake nuk mjafton pa kapacitete konkrete për prodhimin e municioneve, sistemeve të mbrojtjes ajrore, dronëve dhe teknologjive të avancuara.

Sipas analizës, kërcënimi rus mbetet një nga faktorët kryesorë në planifikimin strategjik të NATO-s, ndërsa Aleanca po përgatitet edhe për sfida të reja si sulmet kibernetike, lufta informative, inteligjenca artificiale dhe mbrojtja e infrastrukturës kritike.

Gjunkshi vlerëson gjithashtu rolin në rritje të Turqisë në sigurinë e NATO-s, për shkak të pozicionit strategjik, kapaciteteve ushtarake dhe industrisë së saj të mbrojtjes.

Në pjesën që lidhet me Shqipërinë, ai nënvizon se anëtarësimi në NATO kërkon më shumë sesa pjesëmarrje politike. Sipas tij, vendi duhet të investojë në modernizimin e Forcave të Armatosura, rritjen e profesionalizmit dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj aleatëve.

Në përfundim të analizës, Gjunkshi shkruan se sfida kryesore pas Samitit të NATO-s mbetet kthimi i vendimeve politike në aftësi reale mbrojtëse, pasi siguria nuk garantohet vetëm nga deklaratat, por nga fuqia parandaluese.

Sipas tij, në një botë ku pasiguria po rritet, një NATO më e fortë dhe një Shqipëri më e përgatitur janë elementë të rëndësishëm për sigurinë e përbashkët.

EMISIONET