Protestat dhe debati politik/ Balliu: Nuk ka pasur kurrë një mbështetje kaq të gjerë publike, shqiptarët treguan pjekuri evropiane

Një frymë e re po ndihet në rrugët e vendit, ku duket se pakënaqësia qytetare ka arritur një pikë kthese. Nga të dhënat e terrenit theksohet se kjo valë protestash ka një rëndësi jetike dhe po merr një mbështetje të paprecedentë publike. Ndryshe nga e shkuara, ku bllokimet e rrugëve shpesh sillnin përplasje apo pakënaqësi mes kalimtarëve dhe drejtuesve të mjeteve, sot peizazhi rrugor dhe social është tërësisht i ndryshëm.
Raportohet se kur akset rrugore bllokohen nga marshuesit, qytetarët nuk shfaqin më shenja zemërimi apo padurimi. Përkundrazi, drejtuesit e automjeteve fikin makinat e tyre dhe i përgjigjen kauzës me duartrokitje inkurajuese. Kjo sjellje tregon një vetëdijësim masiv se qeveria po perceptohet si një problem mbarëkombëtar, largimi i të cilit shihet si një domosdoshmëri.
I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", ishte deputeti i PD-së Klevis Balliu, i cili u shpreh se nëse kjo lëvizje popullore nuk mbështetet deri në fund, do të përbënte një tradhti ndaj vlerave demokratike, pluralizmit dhe aspiratave integruese të Shqipërisë. Ndërkohë që politika shpesh përpiqet të marrë meritat dhe monopolin e integrimit në Bashkimin Evropian, theksohet se janë vetë qytetarët ata që po tregojnë një pjekuri të thellë evropiane.
" Ajo çfarë më shqetëson më shumë në të gjithë diskutimin është meraku se mos nuk po kuptohet rëndësia jetike e fitores së kësaj proteste.
Aq sa mund të konstatoj unë, mendoj që nuk ka pasur ndonjëherë protestë të këtij niveli me një pjesëmarrje të tillë dhe me një mbështetje kaq të gjerë publike. Unë vetë kam qenë protagonist në shumë protesta, bllokime rrugësh, përballjesh dhe përplasjesh. Ato ishin protesta të mira të forta me një pjesëmarrje shumë të kënaqshme dhe me sakrifica të jashtëzakonshme nga Partia Demokratike dhe anëtarët e saj.
Por gjithmonë kishte nuanca, përballjesh qoftë edhe me qytetarë të tjerë të cilët shikonin bllokimin e rrugës për shembull në zonën e Unazës si një problem.
Në rastin konkret edhe kur bllokohen rrugët dhe çfarëdo lloj gjëje të ndodhi, qytetarët jo vetëm që nuk mërziten, po fikin makinat dhe i duartrokasin protestuesit gjatë marshimit të tyre. Pra ka tanimë një vetëdije kombëtare se Edi Rama është një problem kombëtar. Dhe për këtë arsye ai duhet të largohet. Në qoftë se një protestë e tillë me gjithë këtë mbështetje do të lihej e vetëm, në besimin tim do të ishte një tradhti ndaj vendit dhe pluralizmit, demokracisë dhe të gjitha parimeve dhe vlerave për të cilat qytetarët shqiptarë po luftojnë dhe bëjnë betejë sot.
Apo qoftë edhe për vetë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shpeshherë politika kërkon të marri flamurin në proceset e integrimit. Por e vërteta është që një shtet, një komb nuk integrohet dot në qoftë se nuk janë të integruar qytetarët përpara. Qartazi shqiptarët janë të integruar, sepse nuk ka gjë më evropiane sesa kjo protestë", u shpreh Balliu.
Ndiqni intervistën e plotë:

