Rrëshqitje dherash pas reshjeve, bllokohet sërish aksi rrugor Librazhd-Prrenjas

Rrëshqitje dherash pas reshjeve, bllokohet sërish aksi rrugor

Qarkullimi i automjeteve në aksin nacional Librazhd–Prrenjas është ndërprerë përkohësisht pasditen e kësaj të marte, pasi masa dheu dhe gurësh kanë përfunduar në rrugë në segmentin e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.

Incidenti u regjistrua rreth orës 17:00, menjëherë pas reshjeve intensive që përfshinë zonën e Librazhdit. Uji i shiut shkaktoi shkëputjen e materialeve nga shpatet anësore, duke bllokuar kalimin e mjeteve në të dy korsitë e rrugës.

Për shkak të situatës, lëvizja e automjeteve u pezullua për më shumë se një orë, ndërsa në të dy krahët e aksit u krijuan kolona të gjata mjetesh.

Në vendngjarje ndërhynë ekipet dhe mjetet e kompanisë që po punon në këtë segment rrugor, të cilat nisën menjëherë pastrimin e rrugës nga materialet e rrëshqitura.

Vështirësi shtesë në menaxhimin e situatës sollën edhe punimet që po zhvillohen për zgjerimin e këtij aksi në kuadër të projektit të Korridorit VIII. Pas ndërhyrjes së mjeteve të rënda, qarkullimi ka rifilluar gradualisht dhe situata po shkon drejt normalizimit.

EMISIONET