Tardelli shpërthen ndaj heshtjes së futbollistëve pas “Balogun Gate”: Ishim frikacakë ndaj FIFA-s

Marco Tardelli ka kritikuar ashpër reagimin e munguar të futbollistëve dhe sindikatave pas vendimit të diskutueshëm të FIFA-s për pezullimin e skualifikimit të sulmuesit amerikan pas kartonit të kuq.
Edhe pse çështja “Balogun Gate” nuk pati ndikim në rezultat, pasi SHBA u eliminua nga Belgjika me shifrat 4-1 në fazën e 1/8 të Botërorit, vendimi i FIFA-s shkaktoi debate të mëdha në botën e futbollit.
Duke folur në programin “Notti Mondiali” të “Rai”, ish-futbollisti italian theksoi se problemi më i madh ishte heshtja e lojtarëve përballë një vendimi që, sipas tij, krijoi një precedent të rrezikshëm.
“Gjëja e rëndë është se lojtarët nuk hapën gojën”, deklaroi Tardelli.
Ai kritikoi edhe shoqatat e futbollistëve, duke thënë se ato nuk reaguan ndaj situatës.
“E vetmja gjë e rëndë është që lojtarët dhe shoqatat e tyre, italiane dhe jo vetëm, nuk folën”, u shpreh ai.
Tardelli përmendi si shembull të kundërt legjendën argjentinase Diego Maradona, i cili sipas tij ishte një nga të paktët që guxoi të përballej me FIFA-n.
“I vetmi lojtar që bëri diçka kundër FIFA-s ishte Diego Maradona”, tha ai.
Në fund, Tardelli pranoi edhe përgjegjësinë personale për heshtjen e brezit të tij, duke shtuar: “Ishim ne frikacakët që nuk u rreshtuam me Diegon në kritikat e tij ndaj FIFA-s. Edhe unë e fus veten brenda. Nuk e besova, nuk e bëmë dhe tani po paguajmë për atë që nuk bëmë”.


