Astrit Haliti kritikon Federatën e Notit: Kosova e izoluar nga Evropa, sportistëve po u mbyllen dyert

Astrit Haliti kritikon Federatën e Notit: Kosova e izoluar nga Evropa,

Ish-kryetari dhe ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti, ka reaguar ashpër ndaj situatës në notin kosovar, duke ngritur shqetësime për mungesën e përfaqësimit në garat ndërkombëtare.

Përmes një reagimi publik, Haliti e ka cilësuar situatën si një paradoks, duke theksuar se ndërsa në Mynih të Gjermanisë nis Kampionati Evropian i notit për juniorë, në të njëjtën kohë në Kosovë zhvillohet kampionati vendor.

Sipas tij, ky fakt tregon problemet e organizimit dhe mungesën e vizionit në drejtimin e këtij sporti.

“Vendi ‘sui generis’ edhe në not”, ka shkruar Haliti, duke theksuar se juniorët më të mirë të Kosovës nuk po marrin pjesë në garat evropiane, por po detyrohen të konkurrojnë vetëm në kampionatin kombëtar.

Ai ka sqaruar se problemi, sipas tij, nuk lidhet me cilësinë e sportistëve, por me vendimet dhe organizimin e Federatës së Notit të Kosovës.

Haliti ka ngritur gjithashtu pikëpyetje mbi kriteret e moshës, duke thënë se disa sportistë që sipas rregullave evropiane konsiderohen juniorë, në Kosovë nuk trajtohen në të njëjtën mënyrë.

“Kush ka të drejtë? Evropa i konsideron juniorë, ndërsa Federata jonë jo”, ka deklaruar ai.

Ish-drejtuesi i federatës ka kërkuar përgjigje për mungesën e Kosovës në Kampionatin Evropian për Juniorë dhe ka pyetur se kush mban përgjegjësi për mundësitë e humbura të notarëve të rinj.

“Sportistët nuk stërviten një vit të tërë për të parë Evropën vetëm në televizor. Ata stërviten për ta përfaqësuar Kosovën”, ka theksuar Haliti.

Në fund të reagimit të tij, ai ka bërë apel për më shumë profesionalizëm, transparencë dhe përgjegjësi në drejtimin e notit kosovar.

 

EMISIONET