Courtois shpërthen pas fitores ndaj SHBA-së: E ndëshkuam mungesën e respektit

Thibaut Courtois nuk i ka kursyer fjalët pas triumfit të Belgjikës 4-1 ndaj Shteteve të Bashkuara, duke iu rikthyer edhe një herë polemikës për çështjen “Balogun”.
Portieri belg deklaroi se skuadra e tij dha përgjigjen në fushë pas tensioneve të krijuara ditët e fundit, pasi FIFA lejoi sulmuesin amerikan të luante pavarësisht pezullimit të tij, vendim që kishte shkaktuar pakënaqësi te belgët.
“E ndëshkuam mungesën e respektit që amerikanët treguan ndaj nesh ditët e fundit”, u shpreh Courtois pas ndeshjes.
Gardiani i Real Madridit minimizoi gjithashtu pretendimet për forcën e kombëtares amerikane, duke thënë se Belgjika e kishte pasur më të vështirë përballjen me Senegalin.
“Lexoj disa gjëra dhe më vjen të buzëqesh. E kuptoj që duan të krijojnë vëmendje rreth SHBA-së, por sot isha më i sigurt për fitoren sesa ndaj Senegalit, që ka një ekip më të fortë se amerikanët”, deklaroi ai.
Belgjika siguroi kualifikimin në çerekfinale, ku do të përballet me Spanjën, ndërsa Courtois kërkoi përqendrim dhe qetësi për sfidën e radhës.
“Objektivi ynë ishte të arrinim në çerekfinale. Çdo gjë që do të vijë nga ky moment e tutje do të jetë bonus”, përfundoi portieri belg.


